United pretendent

Manchester United mbetet skuadra favorite për të ngritur trofeun e Europa League këtë sezon, por mungesat e shumta mund të cënojnë fushatën kontinentale të Jose Mourinhos në pankinën e “djajve të kuq”. Luke Shaw dhe Eric Bailly u dëmtuan në barazimin zhgënjyes kundër Swansea, e kjo nënkupton që të enjten në mbrëmje, në krah të Daley Blind në qendër të mbrojtjes do të jetë italiani Darmian.
Nën mungesën me peshë të Zlatan Ibrahimoviç, do të jetë detyra e Martial apo Rashford për të tundur rrjetën e spanjollëve. Mbetet për t’u parë se cili mes sulmues të talentuar do të preferohet nga trajneri Mourinho në stadiumin e Vigos. Për vendasit e Celtës pritet sërish varësia ndaj Iago Aspas, talenti që këtë sezon ka qenë në një formë të shkëlqyer me 24 gola, aq sa të fitojë në moshën 29-vjeçare grumbullimin e parë me kombëtaren spanjolle.
Gjysmëfinalja tjetër mes Ajax dhe Lyon duket disi më e balancuar, me provën e parë në aksin franko-holandez që do të luhet të mërkurën në orën 20:45. Të dy ekipeve iu desh koha shtesë për të arritur në këtë pikë të turneut, por progresi i ekipit nga Amsterdami u duk më evident. Gjithsesi, skuadra e vendit të tulipanëve duhet të ringrejë moralin pas humbjes ndaj PSV-së, që me gjasë ka shuar shpresat për fitoren e titullit në Holandë. Pezullimi i Jowl Veltman për të mërkurën është një minus i madh.
Ndërkohë, Lyon do të mbështetet tek arsenali sulmues për të siguruar supremacinë në Amsterdam. Skuadra franceze ka shënuar në të gjitha përballjet, që kur u spostua në Europa League, plot 19 gola në 6 ndeshje. Alexandre Lacazette është në dyshim për një dëmtim në gju, por nëse nuk do të luajë, Nabil Fekir do të dijë ta kompensojë mungesën.
Trajneri i “djajve” është ankuar për kalendarin e ngjeshur të skuadrës së tij, i cili ka krijuar një listë të gjatë dëmtimesh. Erik Beili dhe Ljuk Shou janë të fundit që i shtohen infermierisë pas ndeshjes ndaj Suonsit dhe tekniku portugez po shqyrton alternativat e mbetura nëse “djajtë” mundin Selta Vigon në dy gjysmëfinalet e Ligës së Europës.
“Nëse mundim Seltën kemi një finale të mërkurën (24 maj) dhe luajmë kundër Palasit të dielën (21 maj). Dy ditë përpara kësaj luajmë ndaj Sauthemptonit dhe me gjithë respektin, pasojat që rrezikojmë mund të jenë shkatërrimtare. Ndoshta do të sjell trajnerin e akademisë (Niki Bat) dhe skuadrën e tij për të luajtur kundër Palasit dhe shpresoj që atyre të mos u duhet ndeshja për të qëndruar në Premier Ligë, sepse do të ketë pasoja nëse ata duan tri pikët dhe përballë do të kenë skuadrën e 23-vjeçarëve”, tha Murinjo.
Dy mbrojtësit e fundit që humbën 20 herë kampionët e Anglisë janë kësaj jave, nuk pritet që të rikuperohen deri të enjten, për gjysmëfinalen e parë kundër Selta Vigos. Dëmtimi i qendërmbrojtësit 22-vjeçar e lë Murinjon në dispozicion me vetëm një stoper në mbrojtje, 19-vjeçarin Aksel Tuanzebe, pasi edhe Xhons dhe Smolling janë në infermieri.
Por tekniku i dha kurajë lojtarëve të tij për ta kaluar edhe këtë situatë të vështirë: “Unë e di që lojtarët që zgjedh do të japin gjithçka. Kështu që nuk ka rëndësi nëse luan Darmian si mbrojtës qendre apo do të luaj me Karrikun dhe Akselin. Unë kam besim total te djemtë e mi”.

Artikulli paraprakMbyllet epoka Emeri në Paris
Artikulli tjetërDortmundi do të rinovojë me Kagawan