Shtesa e fondit prej 35 milionë euro për 37 metra rrugë në aksin Elbasan-Tiranë me sa duket ka qenë dhe marrëveshja që Ilir Meta të futej në zgjedhje dhe të ikte drejt Presidencës. Kemi të bëjmë me një histori në dukje të pazakontë por, që flet shumë në lidhje me atë se çka ka ndodhur mes dy partive të mazhorancës këto kohë. Vetë Ilir Meta pas votimit në Kuvend do të shprehej se nuk e zëvendëson pushtetin për demokracinë, por me sa duket e ka ndërruar për një vlerë stratosferike që do i jepej ministrisë së drejtuar prej partisë së tij.
Vendimi i Kryesisë
Më datë 4 prill të këtij viti LSI do të merrte vendim kryesie se nuk do të hynte në zgjedhje në rast se opozita nuk merrte pjesë. Deri diku çdo gjë dukej parimore, dhe askush nuk e mendonte se kjo do ishte pjesë e një tjetër shantazhi për të përfituar disa dhjetëra milionë euro. Më datë 10 prill, në Komisionin e Ekonomisë, do të diskutohej një vendim i qeverisë për një shtesë fondi prej 35 milionë dollarë kredi të Bankës Islamike për aksin e mbetur prej 3700 metrash të rrugës Tiranë-Elbasan. Ky aks është bllokuar prej kohësh me pretendimin se ka rrëshkitje. Vetë Rama disa ditë më parë do të jepte disa deklarata të çrregullta në lidhje me atë që duhej bërë më mirë. Por deputetët e PS të painformuar në lidhje me marrëveshjen që ishte bërë më parë me Metën, kundërshtuan fort projektin i cili ofrohej me një kosto absurde ndërtimi. Deputetët e PS në Komisionin e Ligjeve, Piro Lutaj, Ulsi Manja, Tom Doshi, kërkuan nga ana e Ministrisë së Transporteve dhe ministri Dervishaj të dinin a është bërë një studim në lidhje me koston, madje deputeti Pandeli Majko, shkoi deri aty sa kërkoi dhe hetim në lidhje me këtë çështje. Kjo histori vazhdoi për dy ditë rresht me debate në lidhje me koston tepër të lartë, por ditën kur do të shkonte në Kuvend, si për çudi të gjithë heshtën. Kredia u miratua, dhe fondet i kaluan ministrisë së Ilir Metës.
12 kilometra 120 milionë euro
Në fakt, ndërtimi i rrugës Tiranë-Elbasan në 12 kilometrat e saj nga Iba në Tiranë është një histori e vërtetë korrupsioni. Deri më tani, janë miratuar plot 121 milionë dollarë për 12 kilometra rrugë. Duhet të kemi parasysh se ndodhet në një zonë fushore, dhe një kosto prej 10 milionë dollarë kilometrik në fakt përdoret për rrugë ku përfshihen edhe vepra arti, siç quhen në gjuhën e specialistëve. Zona në fjalë është kthyer në varrin e fondeve publike, dhe megjithatë ende ska përfunduar. Sa për informacion, tuneli që përshkron malin e Krrabës, kushtoi 81 milionë euro, është 2.5 kilometra i gjatë, dhe në të dy hyrjet shkon në 5 kilometra dhe u hap në një kohë rekord prej 13 muajsh. Mund të ecet deri në 120 kilometra në orë, së bashku me pjesën tjetër, pra nga Krraba në Elbasan ka kushtuar gjithsej 165 milionë euro. Në raportin e fundit të KLSH konstatohej se në këtë aks, dëmi shkonte deri në 6 milionë dollarë, por kjo është vetëm pjesa e dukshme e problemit. Vlera prej 7.5 milionë dollarë për kilometër, mund të arrihet vetëm në rrugë, ku rrugës i duhej të kalojë nëpër male, hone e lumenj. Ku vështirësia për të çarë shkëmbinjtë është maksimale. Por ende nuk kuptohet se çfarë vështirësie paska për të gërmuar në disa kodra të buta shtufë në rrethinat e Tiranës. Pra, ndërtimi i tunelit që përmban gërmim mali dhe shtrim nuk e ka kaluar vlerën e 8 milionë dollarëve për kilometër, një vlerë krejtësisht normale për këto lloj punimesh që mund të shkojnë deri në 12 milionë dollarë, sipas specialistëve. Po sipas tyre në shtresa shtufi, për gjatësinë prej 3700 metrash e shumta mund të shkojë në 2 milionë dollarë për kilometër, por aty janë dhënë rreth dhjetë të tilla.
Metamorfoza e Metës, nga vendimi i Kryesisë tek dakortësia me Ramën
Seanca për miratimin e buxhetit do të mbahej më datë 14 prill. Deri përpara datës 10 prill, Meta kish mbajtur një qëndrim refraktar, duke përmendur shpesh dhe vendimin e Kryesisë për të hyrë në zgjedhje. Koha po shtyhej drejt zgjedhjes së Presidentit. Një ditë pas miratimit të fondit prej 35 milionë euro, ai do shfaqej në një aktivitet partie ku për 100 minuta nuk do të artikulonte asgjë nga ato që kish thënë më parë. Më datë 19 prill do të ishte dhe raundi i parë i zgjedhjes së Presidentit, dhe pyetjes nëse do të zbatonte vendimin e Kryesisë ai iu përgjigj. “Duhet ta mendoj që Shqipëria të ketë zgjedhje pa opozitën. Kam qenë i prirur që të kuptoj shqetësimet e tyre. Ndërsa unë nuk mund të them se, opozita ka të drejtë në të gjitha kërkesat e saj, pasi nëse do ta mendoja këtë gjë do isha dhe unë në çadër”. Qëndrimi ndryshoi kryekëput vetëm pesë ditë, pasi ishte miratuar në Kuvend kredia prej 35 milionë euro fond për rrugën. Një shumë jo e vogël kjo, që paguhet nga paratë e taksapaguesve shqiptarë. Më tej, gjërat shkuan siç ishin paramenduar. Meta u zgjodh President i Republikës. Në fakt në situatën e krijuar, pavarësisht marrëveshjes që kishin pasur me Ramën në prillin e 2013, kjo ishte gjëja e fundit që i duhej. Në prag të zgjedhjeve, Rama po e përzinte nga skena politike për të mos e pasur nëpër këmbë. Paranoja e Metës, dhe frika se mos i merrnin partinë gjatë kohës së presidencës u pa dhe në hartimin e listave ku shumë prej emrave fitues në garë janë adoleshentë që ende skanë mbaruar studimet. Gjithsesi në datën e fundit të parashikuar nga Kodi Zgjedhor për regjistrimin e listave shumëemërore, Meta do shkelte vendimin e Kryesisë së katër prillit dhe do regjistronte partinë e tij në zgjedhje. Shprehja se ai përpara demokracisë vë pushtetin ra. Në fakt, përpara demokracisë këtë herë vuri paratë.
Ndërhyrja e Ramës çeli fondin 35 milionë euro, Lutaj e paguan shtrenjtë
Çështja e fondit është diskutuar dhe në mbledhjen e Grupit të PS-së, ku duket se ndër aktivët kundër kësaj marrëveshjeje ka qenë deputeti Pirro Lutaj, me të cilin Rama u hakmor duke e hequr nga listat për deputet. Më tej, ka qenë ndërhyrja e Ramës, që ka fashitur debatet e tyre, natyrisht pa u thënë gjë, por urdhri ka qenë i prerë që kjo marrëveshje duhet të kalojë dhe në të vërtetë ashtu u bë. Që në seancën e radhës të gjithë deputetët që e kishin kundërshtuar, përjashto Tomë Doshin për shkak të armiqësive të hershme që kish me Metën, e votuan fondin që do blinte dakortësinë e Metës. Por sëpatës dukej që nuk i shpëtoi Pirro Lutaj. Ja çfarë transmetonin mediat për debatet brenda PS-së për këtë çështje.
Pirro Lutaj: Në Komisionin e Ligjeve, Ministria e Transporteve ka çuar një projektligj, përmes të cilit kërkon miratimin e shpenzimeve prej 35 milionë eurosh për 4 kilometra rrugë. Bëhet fjalë për rrugën Tiranë-Elbasan. Dua të di si ka mundësi që jepen kaq lehtë gjithë këto para nga buxheti i shtetit dhe ne bëhemi rezil me elektoratin në zonat tona për investime minimale?
Erjon Braçe: Unë mendoj se Ministria e Financave nuk duhet të lejojë ratifikimin e kësaj marrëveshjeje, pasi kjo rrugë do të duhej të ishte bërë nga qeveria Berisha. Por, përveç kësaj, specialistët shprehen se, edhe pse mund të bëhet ky investim, pa ndryshuar projektin, rruga mund të rrëshkasë përsëri.
Arben Ahmetaj: E ke gabim Erjon, kjo marrëveshje nuk është përgjegjësi e Ministrisë së Financave, pasi puna e saj është vetëm të vlerësojë i ka apo jo aq para për të financuar. Nuk mund të merremi me projektin.
Gramoz Ruçi: Atëherë shokë, unë them ta mbyllim këtë diskutim.
Xhemal Qefalia: O shoku Gramoz, si ta mbyllim?! Ne nuk sqaruam asgjë. Na vjen turp të dalim përpara njerëzve, që kërkojnë projekte për komunitetin.
Taulant Balla: Kjo çështje duhet diskutuar në komision.