Prokuroria i kërkon Gjykatës konfiskimin e pasurisë së Kajollit

Prokuroria për Krime të Rënda i kërkon Gjykatës që pasurinë e biznesmenit Fatmir Kajolli t’ia kaloi shtetit shqiptar. Mësohet se Prokuroria për Krime të Rënda, i ka kërkuar Gjykatës të konfiskoi pasurinë me rreth 2.1 milionë metra katrorë troje, tokë arë, pyje dhe ndërtim, të regjistruara në emër të familjarëve të shtetasit Fatmir Kajolli, në Fier. Veç pasurisë së paluajtshme, Prokuroria kërkon konfiskimin edhe të tre bizneseve të regjistruara në emër të familjarëve të Kajollit.
Kjo kërkesë, sipas akuzës, bëhet bazuar në ligjin “Antimafia”, pasi biznesmeni Kajolli rezulton i dënuar dy herë nga drejtësia italiane për akuzat e “shoqatës kriminale, trafikim, prodhim dhe posedim të lëndëve narkotike” dhe “Pjesëmarrje në organizatë kriminale dhe shkelje e ligjit për lëndët narkotike”. Për shkak të këtyre dy dënimeve, Prokuroria akuzon Kajollin se ka siguruar të ardhurat dhe pasuritë në bazë të aktivitetit kriminal dhe të paligjshëm në Itali.
Sipas vendimit, Kajolli rezulton i divorcuar nga bashkëshortja, të cilës i ka shitur ose dhuruar të gjithë pasurinë, që kap shifrën e miliona eurove. Nga verifikimi i 27 pjesëtarëve të familjes së ngushtë të Fatmir Kajollit, Prokuroria ka evidentuar 22 prona me një sipërfaqe prej 2.1 milionë metër katror tokë pyllë, tokë arë, tokë truall edhe në zonat turistike të Fierit. Në këtë sipërfaqe, përfshihen edhe 1700 metra katror ndërtime janë bllokuar asetet dhe llogaritë bankare të 5 kompanive të familjes Kajolli, si kompani mineralesh, ndërtimi, parking apo tregtimi.
Fatmir Kajolli është dënuar në shtator të vitit 2000 nga Gjykata e Milanos me 16 vjet burg dhe nga ajo e Romës në nëntor të 2001 me 24 vjet burg. Për të dy këto vendime, autoritetet italiane kërkuan ekstradimin e tij, por gjykatat shqiptare në tre shkallët e gjykimit rrëzuan kërkesën për ekstradim.

Artikulli paraprakAsnjë pazar me kauzën e zgjedhjeve të lira
Artikulli tjetërAksidentohet makina e blinduar me para në Korçë, 3 të plagosur