Aksidentohet makina e blinduar me para në Korçë, 3 të plagosur

Një aksident ka ndodhur paraditen e djeshme në Korçë, ku është përfshirë një makinë e blinduar. Nga aksidenti raportohet për 3 persona të lënduar. Mësohet se incidenti është regjistruar në aksin rrugor nacional Korçë-Pogradec, pranë kryqëzimit të Pirgut. Një furgon mallrash ka hyrë me shpejtësi në rrugën nacionale, duke u përpjekur të kalojë nga Pirgu drejt Leminotit, por është përplasur me një makinë të shoqërive të sigurimit, që shoqëronte një furgon të blinduar që transportonte para.
Si pasojë e aksidentit, ka mbetur i plagosur drejtuesi i makinës shoqëruese të lekëve, por edhe një pasagjer që udhëtonte me të. Edhe drejtuesi i furgonit të mallrave ka marrë plagë të lehta. Burimet nga vendngjarja bëjnë të ditur se të plagosurit janë jashtë rrezikut për jetën. Në momentet e para pas aksidentit është krijuar panik, pasi është menduar për një tentative grabitjeje, kjo edhe për faktin se furgoni i mallrave i ka prerë rrugën mjetit të blinduar, por më pas është kuptuar se ishte një aksident rrugor.

Artikulli paraprakProkuroria i kërkon Gjykatës konfiskimin e pasurisë së Kajollit
Artikulli tjetërShpërthimi i makinës pranë Prokurorisë mbetet pa autor