Zidane shuan euforinë

Cristiano Ronaldo nuk e ka fshehur kënaqësinë për fitoren me tri gola diferencë kundër Atleticos së Madridit, me gola të shënuar vetëm prej tij. Ylli portugez i Realit e konsideron si një sukses plotësisht të merituar, madje që mund të ishte akoma më i thellë, nëse Oblak nuk do të kishte bërë aq shumë pritje. Më tej, ai shkund merengesit sa i përket kualifikimit, pasi i paralajmëron që në ndeshjen e kthimit, kanë për ta pasur mjaft të vështirë.
– Si e komentoni këtë fitore kundër Atleticos?
Duhet të përgëzoj të gjithë ekipin, i cili ishte i jashtëzakonshëm. Pata fatin që t’i shënoj unë të tre golat. Luajtëm më mirë se kundërshtari që nga minuta e parë deri tek e fundit dhe e merituam një rezultat të tillë.
– E kishit menduar se mund të fitonit me tri gola diferencë?
Nuk ishte diçka e rastësishme, pasi të gjithë golat erdhën nga një proces natyral i lojës, me një dominim të ekipit tonë. Kemi kërkuar të shënojmë në mënyrë konstante, por Oblak bëri disa pritje të shkëlqyera. Mund të kishim fituar edhe më thellë…
– Një tripletë e juaja që vlen për të afruar Realin me finalen e Champions-it…
Jam me të vërtetë i lumtur. Jo vetëm që ndihmova skuadrën për një fitore të rëndësishme, por edhe sepse kapa kuotën e 400 golave me fanellën e Realit të Madridit.
– Mendoni se kaq ka mjaftuar për të siguruar kualifikimin?
Sigurisht që është një avantazh i madh dhe për këtë jemi të vetëdijshëm. Por, asnjëherë nuk mund të mendojmë se kualifikimi është siguruar. Atletico është një ekip mjaft i fortë në fushën e vet dhe nëse ne shkojmë të shpërqendruar, mund të vuajmë. Në gjysmëfinalet e Champions-it, asnjëherë nuk ke përballë ekipe të lehta.
Reali i Madridit do të vazhdojë të mbetet macja e zezë e Atleticos së Madridit në Champions League. Falë Cristiano Ronaldos që u shfaq në një formë të jashtëzakonshme, Los Blancos mposhtën 3-0 Los Colchoneros në gjysmëfinalen e parë në “Santiago Bernabeu”, duke shtruar rrugën drejt finales së madhe të Cardiffit. Për të dytin vit radhazi, Reali i Madridit është vetëm një hap larg stacionit të fundit të Champions Leagues pra, finales së madhe me trofeun e 12-të në këtë kompeticion që është më pranë se kurrë për skuadrën e Zidane. 3 gola realizoi ylli i portugez i Realit, me Cristiano Ronaldo që dënoi sërish Atleticon pas asaj penalltie të fundit të ekzektuar saktë në finalen e edicionit të kaluar.
Në minutën e 10-të i shërbyer nga Casemiro, Ronaldo mposhti me kokë Oblakun për avantazhin e Los Blancos. Në të 73-tën, ylli portugez, përfitoi nga një gabim i Filipe Luis për të realizuar një gol të bukur që i çoi shifrat në 2-0. Ndërkohë në minutën e 86-të i shërbyer nga Lucas Vazquez, Cristiano e pati të thjeshtë të shënonte edhe golin e 3-të që kishte aromën e kualifikimit në finale për Realin e Madridit.
Trajneri i Real Madridit, Zinedine Zidane ka thënë se është shumë i lumtur me fitoren, por ka thënë se ende nuk janë kualifikuar në finale. “Sot ne kemi luajtur shumë mirë dhe 3:0 tregon gjithçka. Por, ende nuk e shoh se kemi kaluar në finale, kemi edhe një ndeshje për të luajtur”, tha Zidane.

Artikulli paraprak400 golat e Ronaldos dhe një “mesazh” për Mesin
Artikulli tjetërSimeone: Do tentojmë përmbysjen