Kryetari i opozitës paralajmëroi dje, se pa zgjidhje politike të krizës vendi nuk do të ketë zgjedhje. Basha i është përmbajtur mesazhit të Popullorëve Europianë të bërë zyrtare mbrëmë nga drejtuesi i këtij grupimi Doull, sipas të cilit zgjedhjet duhet të garantohen nga një zgjidhje politike e krizës.
Edi Rama vijon të bllokojë gjetjen e një zgjidhjeje politike për t’i hapur rrugë garantimit të zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. Në takimin e ndërmjetësuar nga Presidenti Nishani me qëllim uljen në një tryezë të kreut të opozitës Basha dhe Kryeministrit Rama për të dialoguar mbi gjetjen e një zgjidhjeje politike për shkak të krizës që ka përfshirë vendin, Rama ka bllokuar çdo mundësi që mund t’i afrojë palët drejt një zgjidhjeje. Takimi, i cili u zhvillua dje në selinë e Presidencës, nisi rreth orës 10 paradite dhe zgjati tre orë. Kryetari i PD, Lulzim Basha informoi dje nga sheshi i lirisë mbi takimin e ndërmjetësuar nga Presidenti Bujar Nishani, ndërsa bëri të ditur se gjatë takimit Rama, jo vetëm që nuk kishte shprehur vullnet për zgjidhje politike, por ishte tërhequr edhe nga propozimet e bëra një javë më parë, të cilat në vetvete ishin minimumi që mazhoranca ofronte si garanci për zgjedhje të lira dhe të ndershme. “Përfaqësuesit e Republikës së vjetër dhe përfaqësuesit e Republikës së re u ulën në tavolinën e Presidentit Nishani pas ftesës së tij, për të gjetur një zgjidhje me dialog, të krizës së rëndë politike, elektorale, ekonomike dhe të gjithanshme që është produkt i vetëm i katër viteve të qeverisjes së dështuar, inkriminuar dhe korruptuar të Edi Ramës dhe çetës së tij mafioze në pushtet. Shqipëria është në krizë politike dhe kërkohet zgjidhje politike. Ky që kishte fërkuar duart bashkë me lobistët e tij që majmen me paratë e drogës dhe të korrupsionit qindra milionë eurosh të transferuara përmes bankash, të kapura nga kupola politike dhe përmes zhageve të korrupsionit kishte shpresuar pra, të pamundurën, që ne, kallëzuesit e problemeve të Shqipërisë, luftëtarët kundër krimit dhe drogës të tregoheshim me gisht si fajtorë, dje e kuptoi se edhe kur investon miliona me lobistë, edhe kur gënjen sa mundesh me media të kapura dhe emisarë të korruptuar e vërteta dhe e drejta vonojnë, por një ditë arrijnë në stacion. E vërteta ka arritur tash 75 ditë në këtë stacion dhe tempull të lirisë dhe kjo është e vërteta e shqiptarëve, jo e partive politike, por e çdo shqiptari, të djathtë e të majtë. Por e vërteta po kështu ka mbërritur në stacionet e mëdha të Perëndimit, droga dhe krimi janë kërcënimet kryesore për zgjedhje të ardhshme në Shqipëri. Pa zgjidhje për krimin e veshur me pushtet dhe drogën e paratë e drogës, pa zgjidhje të vërtetë, zgjidhje politike siç theksuan miqtë tanë mbrëmë, nuk ka dhe nuk do të ketë zgjedhje në Shqipëri! Pra, nuk do të ketë as bojkot, se ne vetëm duarkryq nuk do të rrimë teksa kupola e krimit mundohet t’i marrë shqiptarët si dele në një proces fals dhe monist të një gjysmë koalicioni, një subjekti zgjedhor, për t’i mohuar të drejtën e fundit që ka mbetur pa iu përdhosur, të drejtën për të zgjedhur Parlamentin e tyre pa diktat nga krimi dhe paratë e drogës. Jo!”, u shpreh kreu i PD, Basha.
Europa kërkon zgjidhje politike
Partia Demokratike është shprehur e gatshme për të eksploruar çdo mundësi dialogu që do t’i shërbente gjetjes së zgjidhjes më të mirë për krizën politike në vend, zgjidhjes që do të çonte në garantimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. Basha kujtoi dje se ulja e palëve për të gjetur një zgjidhje politike është një kërkesë e partnerëve ndërkombëtarë. “Unë shkova në këtë tryezë ashtu siç iu premtova ju, me vullnetin e plotë e të palëkundur për të mos kërkuar, pranuar dhe marrë asgjë për përfitime politike të miat, Partisë Demokratike dhe opozitës, por po kështu për të mos lëshuar asgjë nga të drejtat legjitime, hyjnore të qytetarëve shqiptarë, për zgjedhje të lira dhe të ndershme, për votën e lirë si themeli i vetëm i bashkëjetesës demokratike sot e tutje në Shqipëri. Unë shkova po kështu me zotimin e marrë para miqve dhe partnerëve ndërkombëtarë e në veçanti familjes tonë politike popullore europiane, Presidentit Daul, komisionerit Hahn, njëkohësisht nënkryetarit të PPE, se Partia Demokratike dhe unë personalisht nuk do të lëmë asnjë mundësi pa eksploruar për një kompromis dhe një marrëveshje politike me kushtin e vetëm e të patjetërsueshëm që të garantojë zgjedhje të lira dhe të ndershme. Kambanat e Europës kanë rënë për çdo shqiptar të ndershëm, kanë rënë madje edhe për Edi Ramën”, tha Basha.
Rama në panik, u tërhoq edhe nga propozimet e javës së kaluar
Në panik nga çdo mundësi zgjidhjeje që mund të çojë në largimin e tij nga karrigia kryeministrore, Rama ka bërë një hap pas për sa i përket afrimit të palëve në gjetjen e një zgjidhjeje. Dje në takimin me Bashën, ai është tërhequr edhe nga propozimet e bëra një javë më parë, që në konsideratën e kreut të PD, Basha edhe ato propozime nuk siguronin aspak votën e lirë të shqiptarëve. “Nuk do të rrimë duarkryq, kemi ofruar sot në tavolinë gjithçka që Partia Demkratike dhe opozita mund të ofrojnë për zgjidhje, pala tjetër është tërhequr edhe nga propozimet e javës së kaluar që vetë i loboi dhe që në vetvete ishin shumë më pak se ç’mund të pranohet për të siguruar minimumin e garancive për qytetarët shqiptarë. Sot, Edi Rama vulosi faktin katërcipërisht të njohur nga opozita dhe qytetarët para partnerëve ndërkombëtarë se, ai jo vetëm është pengesa e vetme, por se nuk ka asnjë argument qenësor për t’i hapur rrugën zgjidhjes përveç forcës së pushtetit kriminal dhe krimit të bërë njësh me pushtetin. Tani që ballafaqimi i argumenteve dhe i forcës së argumenteve tregoi se kush do zgjidhje për shqiptarët, se kush vendos interesin e qytetarëve para interesit politik dhe personal. Tani që forca e argumenteve tregoi superioritetin total të kësaj kauze popullore Edi Ramës nuk i ka mbetur gjë tjetër veçse argument i forcës së kriminelëve, i forcës së kriminelëve të hurit dhe të litarit, që për të mund të jenë burra të mirë dhe padyshim që për të mirë kanë qenë sepse me ta e mori pushtetin, me ta e menaxhon pushtetin, me ta dëshiron ta mbajë pushtetin përkundër dëshirës dhe vullnetit të shqiptarëve. Forca e Edi Ramës është trajtimi i administratës shtetërore si një garnizon elektoral si kurrë më parë në 27 vite të pluralizmit, ku padyshim përdorimi i administratës ka qenë një problem nga të dyja palët, por kurrë si sot. Dy janë kollonat e vullnetit politik pa të cilat asnjë mekanizëm nuk funksionon e nuk ka garanci të ndryshojë. As ndryshimet në Kodin zgjedhor, as ndryshimet në Kodin penal për të penalizuar me ndëshkime më të rënda ligjore shitblerjen e votës apo fotografimin e votës, apo transfertat e dyshimta të parave gjatë fushatës elektorale, apo të tjera ndryshime që kanë të bëjnë me median, me strukturën institucionale të zgjedhjeve nuk kanë vlerë nëse janë në dorë të të njëjtit mekanizëm që për katër vite e ktheu Shqipërinë në hambar droge dhe në të vetmin vend në Europë ku kriminelët që duhet të ishin në burg janë deputetë, janë kryetarë bashkish, janë drejtorë policie, drejtorë doganash, drejtor taksash dhe drejtorë të tjerë të administratës dhe kupolës politike të Republikës së vjetër”, tha Basha.
Zgjedhjet e lira e të ndershme nuk i dorëzojmë!
Partia Demokratike do të vijojë betejën e saj në mbrojtje të kauzës për zgjedhje të lira dhe të ndershme. Basha tha se përballës forcës së Ramës përmes krimit dhe drogës përballë do të jetë forca e bashkimit popullor.
“Forca e Edi Ramës janë paratë e narkokartelit të bërë njësh me qeverinë që ai drejton. Forca e Edi Ramës është shpresa se mjerimi dhe varfëria e shtuar e shqiptarëve kanë shuar dinjitetin dhe vullnetin për të luftur për dinjitet e liri tek çdo baba e nënë, te çdo i ri dhe e re.
E vërteta është që ai i ka të gjitha këto; ai e ka krimin, ai i ka bandat, i ka drogën, ai ka në dorë të firmosë e urdhërojë paligjshmëritë e policisë dhe të çdo dege tjetër të administratës. Por ajo që ai nuk ka është shumë më e madhe dhe e fuqishme se ajo që ai ka.
Ai nuk e di se përballet jo thjesht me një lëvizje popullore që proteston tash 75 ditë në formën e qindra mijëra qytetarëve, por përballet me shpresën e çdo shqiptari të ndershëm, se kjo është koha për një ndryshim të madh dhe rrënjësor në jetët tona. Se kjo është koha për të marrë në dorë fatet tuaja, fatet tona dhe se kjo është koha për të mos pranuar, por rrëzuar me forcën e bashkimit popullor çdo pengesë që qëndron mes mjerimit dhe varfërisë së sotme të shqiptarëve dhe shpresës për një Republikë të re të demokracisë së vërtetë, të zgjedhjeve të lira e të ndershme, ekonomisë së fortë dhe të nesërmës së sigurtë për çdo shqiptar.
Një pengesë pa argumente, i armatuar vetëm me argumentin e forcës së krimit dhe paligjshmërisë. Ky është Edi Rama, por përballë ka një forcë të pathyeshme, përballë ka vendosmërinë e bashkuar të çdo shqiptari dhe shqiptareje të ndershme për t’i thënë: Mjaft më arrogancës! Mjaft më krimit! Mjaft më drogës! Bëtë çfarë deshët 4 vite; kriminelët i bëtë zotër të vendit, drogën prodhimin kryesor, zhytët një popull në varfëri dhe larguat 1 në 10 shqiptarë në emigracion, vodhët çfarë mundët nga posti i Presidentit të Republikës deri te delet e kecat nëpër rrugët e Shqipërisë.
Por zgjedhjet e lira e të ndershme nuk i dorëzojmë dhe nuk do t’i japim kurrë!
Vodhët të sotmen, por kurrsesi nuk mund t’iu lejojmë të vidhni të nesërmen, të ardhmen e Shqipërisë dhe shqiptarëve.
Llogaritë e kupolës politike dhe kriminale në krye të Republikës së vjetër janë bërë pa popullin. Dhe populli do t’i provojë këto llogari gabim duke nisur të dielën e ardhshme në Kavajë”.