Meta dhe Rama thirren në Gjykatë për dosjen ‘Doshi’

Në Gjykatën e Lartë është hapur shqyrtimi gjyqësor i dosjes “Doshi”. Deputeti i mazhorancës, pati akuzuar kryetarin e Parlamentit, Ilir Meta se kishte paguar Durim Bamin për ta eliminuar atë së bashku me deputetin Mhill Fufi. Kjo çështje u hetua nga Prokuroria, e cila nuk gjeti asnjë provë për pretendimet e Tom Doshit.
Me kërkesë të Prokurorisë, Gjykata e Lartë ka thirrur në cilësinë e dëshmitarit kryeparlamentarin Ilir Meta, kryeministrin Edi Rama, ish-ministrin e Brendshëm, Sajmir Tahiri dhe ish-kryeministrin Berisha. Tom Doshi, Mark Frroku dhe Durim Bami po gjykohen për akuzën e “kallëzimit të rrëmë”. Kërkesa e Prokurorisë për thirrjen e zyrtarëve të lartë për të dëshmuar ju parashtrua Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë, para të cilëve u lexua edhe kërkesa për gjykim ndaj të pandehurve. Kjo kërkesë e Prokurorisë, erdhi vetëm pak minuta, pasi Gjykata me vendim të ndërmjetëm, nuk pranoi ndarjen e çështjes mes deputetit Doshi dhe ish-deputetit Frroku e të pandehurit Bami.
Avokatët e Doshit nga ana e tyre kanë kërkuar që për të dëshmuar të vijë edhe Kryeprokurori Adriatik Llalla. Sipas Prokurorisë, katër dëshmitarët Meta, Berisha, Rama e Tahiri do të provojnë faktin se tre të pandehurit kanë mashtruar, në lidhje me pretendimet se Ilir Meta kishte porositur kundrejt 500 mijë eurove vrasjen e deputetit Tom Doshi. Për kërkesën e Prokurorisë, Gjykata e Lartë do të shprehet më datë 17 maj, kur edhe u caktua seanca e radhës ndaj tre të pandehurve të këtij procesi, të cilët nuk kishin preferuar të ishin të pranishëm në sallën e gjyqit.
Për Prokurorinë, të pandehurit Tom Doshi, Mark Frroku dhe Durim Bami, kanë fabrikuar prova për të iniciuar nisjen e hetimit penal ndaj kreut të Kuvendit, Ilir Meta dhe personave të tjerë të denoncuar publikisht nga i pandehuri Doshi. Sipas Prokurorisë, dyshohet se motivi i kësaj sajese, mendohet se ka qenë për arsye politike dhe ekonomike të deputetit Doshi dhe ish-deputetit Frroku.
Sipas Prokurorisë, Tom Doshi pretendon se është vënë në dijeni për komplotin e organizuar për vrasjen e tij nga kolegu Mark Frroku. Ky i fundit e ka mohuar një pretendim të tillë, duke mos pranuar edhe njohjen me Durim Bamin, personin që ishte paguar për të ekzekutuar deputetin Doshi. Sipas akuzës, vetë Bami ka mohuar një komplot të tillë, duke deklaruar se gjithçka është sajuar nga deputeti Doshi, i cili në fakt e kishte filmuar të pandehurin Bami duke rrëfyer planin e vrasjes.

Artikulli paraprakAtentati ndaj Mehmetit në Vlorë, babai nxjerr faktet kundër Policisë
Artikulli tjetërUrdhër policëve: Plotësoni formularët për votat e PS!