Dua Realin në finale

Me shumë gjasa do të jetë Juventus-Real Madrid finalja e këtij edicioni në UEFA Champions League. Ashtu si Los Blancos edhe bardhezinjtë e Massimiliano Allegrit tashmë mund të konsiderohen me një këmbë në finalen e madhe të Kardifit. Gonzalo Higuain vendosi me dy golat e tij ndeshjen kundër Monakos duke i dhënë Juventusit një avantazh shumë të rëndësishëm drejt finales së Ligës së Kampioneve. Për sulmuesin ky është edhe një lloj shpagimi, pasi shumëkush e ka kritikuar se nuk po tregohej futbollist vendimtar në këtë turne, për të cilin Juventusi kishte bërë një investim të rëndësishëm. Higuain tha se, në finale do ish-skuadrën e tij, Real Madridin.
“Jam i lumtur, kemi fituar një ndeshje shumë të rëndësishme. Tani të shpresojmë të mundim Torinon në derbi për të mbyllur sa më shpejt edhe diskutimet e titullit”, tha lojtari pas ndeshjes.
“Goli i rigjetur? Unë punoj, luftoj dhe kërkoj gjithmonë të paraqitem sa më mirë. E rëndësishme ishte të qëndroja i qetë. Na mbetet edhe ndeshja e kthimit dhe Monako është skuadër e fortë. Ne shpresojmë të shkojmë në finale. Gjithsesi, në finale dua Realin. Unë punoj gjithmonë për të gjetur golin, po e rëndësishme ishte të fitonim dhe të ruanim portën të paprekur”, theksoi ai.
Në Principatë përballë Monakos triumfoi grinta, dëshira, loja e fortë në mbrojtje dhe taktika e italianëve, me Juventusin që ndali çdo sulm të skuadrës së Leonardo Jardim për t’iu falur yllit argjentinas Gonzalo Higuain, i cili me dy golat e tij, ndihmoi kampionët e Italisë të merrnin një fitore të çmuar me shifrat 0-2, brenda në stadiumin “Luigji i 2-të”. Pas 6 ditësh në “Juventus Stadium” bardhezinjtë e Allegrit duhet vetëm të administrojnë avantazhin e 2 golave për të siguruar biletën për në finalen e madhe të Champions-it për të dytën herë në 3 vitet e fundit.
E zgjuar lëvizja e Massimiliano Allegrit për të aktivizuar brazilianin Dani Alves përkrah Mandzukic e Dybala në mbështetje të El Pipitas me Cuadradon që u ul në stol. Ishte pikërisht i ish-lojtarit të Barcelonës asisti i golit të parë të realizuar nga Higuain, në minutën 29-të, finalizim që erdhi në një moment kyç të ndeshjes me Mbappen që më herët kishte shpërdoruar disa raste të mira për vendasit. Asist perfekt me finte i Dani Alves me Higuain që ndëshkoi portierin kroat të Monakos Subasic. Në pjesën e dytë pritej reagimi i skuadrës nga Principata, por as sulmi më i mirë në Europë gjatë këtij sezoni, nuk arriti të thyente mbrojtjen e italianëve dhe portierin Buffon. Në kundërsulm, Juventusi ishte vërtet i frikshëm dhe në minutën e 59-të, Dani Alves u bë sërish protagonist me një krosim perfekt për El Pipitan që realizoi edhe golin e dytë që solli kapitullimin e Monakos.

Artikulli paraprakAubameyang, e ardhmja te PSG
Artikulli tjetërAjax pranë finales, mposhti Lyon