Rrëfehet Lahm

Kapiteni i kampionëve gjermanë, Filip Lahm, flet hapur mbi vendimin e tij për të mos u bërë drejtuesi sportiv i skuadrës bavareze. Në një intervistë, Lahm ka thënë se nuk ka patur asnjë konflikt mes tij e Uli Hënesit dhe se ai nuk është përgjegjës për problemet që janë shkaktuar pikërisht për këtë post në skuadër.
“Mendoj se Hënes është ende i gatshëm për postin e drejtuesit sportiv të klubit, ndaj edhe vendosa të mos e pranoj”, ka thënë kapiteni. Përpos këtij vendimi, mbrojtësi ka kritikuar në mënyrë indirekte kreun e skuadrës bavareze, duke thënë: “Një strukturë mund të qëndrojë e bashkuar vetëm nëse pranojmë se dikush është më i mirë në disa fusha se ne”.
Filip Lahm ka luajtur për herë të parë si kapiten i kombëtares në vitin 2009. Një vit më pas, në Kupën e Botës, kombëtarja gjermane ka patur Mikael Balak si kapiten. Por vetëm pak momente përpara turneut, ai u dëmtua. Për pozicionin e tij u vendos Filip Lahm.
“Menjëherë sapo u aktivizova, kam ndier skuadrën dhe besimin që kishin për mua në lojë”, deklaron Lahm. Në një pyetje nëse motivimi i tij ka qenë dashuria për rolin e kapitenit, apo përgjegjësia, ai është përgjigjur duke thënë: “Nuk dua ta përshkruaj si përgjegjësi, por si fuqi rolin e kapitenit në skuadër”.
Gjithashtu, 33-vjeçari ka folur edhe mbi ish-trajnerin bavarez Pep Guardiola, me të cilin ai ka pësuar një prej disfatave më të hidhura në histori, si ajo ndaj Realit të Madridit në gjysmëfinalen e Champions në vitin 2014 me rezultatin 0-4 për madrilenët. Për këtë kujtim, ai ka thënë:
“Për këtë ndeshje, Guardiola ka pyetur gjashtë prej lojtarëve për mënyrën se si ne kemi dashur të luajmë. Arsyeja ka qenë se ai ka dashur të na bëjë të ndihemi sa më mirë në lojë. Në fund të lojës, kjo taktikë e tij është kritikuar shumë, por në të vërtetë nuk ka qenë taktika e tij, por e jona”.
Në prag të fundit të karrierës, kapiteni Lahm është pyetur edhe për pjesën se si do të ndihet ai, pasi të lërë futbollin dhe për këtë ai tha: “Mendoj se të qëndroj më shumë me familjen e të hamë mëngjes së bashku, pa presionin e ndeshjeve ose dëmtimeve, ka filluar të më shkaktojë një ndjesi mjaft pozitive”.

Artikulli paraprakEtrit Berisha, tepër i shtrenjtë për Atalantën
Artikulli tjetërTek Interi del në skenë “ideja” Sarri