Berisha-Nemeth: Luftë narko-Republikës

Ish-Kryeministri deklaroi dje gjatë një takimi me kryetarin e Komisionit parlamentar për Marrëdhëniet me Jashtë në Parlamentin hungarez, Zsolt Nemeth, se PD dhe shoqëria shqiptare i kanë shpallur një luftë të hapur narko-Republikës dhe shprehu sigurinë se do ta fitojnë këtë luftë. Berisha është takuar dje me Nemeth, i cili shoqërohej nga ambasadori hungarez në vendin tonë zoti Antal Haizer, si dhe sekretari për Marrëdhëniet me Jashtë i partisë qeverisëse në Hungari, FIDESZ.
Nemeth i përcolli zotit Berisha përshëndetjet e përzemërta, si dhe mbështetjen e kryeministrit hungarez Orban. Nga ana e tij, zoti Berisha shprehu kënaqësinë për këtë vizitë të zyrtarëve hungarezë, si dhe për mbështetjen dhe suportin që kryeministri Orban ka treguar gjithmonë ndaj Partisë Demokratike dhe Shqipërisë.
Berisha theksoi se kjo vizitë e tyre vjen në një moment të vështirë për vendin, i cili ndodhet në një situatë të paprecedentë. Berisha theksoi se vendi ka kaluar kriza të vështira dhe situata delikate, por ka dalë prej tyre nëpërmjet zgjedhjeve. Këtë herë, theksoi ai, pikërisht zgjedhjet janë problemi. Ai theksoi se ky kryeministër, i dyti pas Noriegës, vendosi të fuqizonte veten dhe pushtetin e tij nëpërmjet drogës. Aktualisht raportet ndërkombëtare tregojnë se janë rreth mbi 10. 000 plantacione kanabisi të shtrira në të gjithë Shqipërinë, duke e kthyer vendin në një narko-Republikë.
Berisha e njohu zotin Nemeth se në vitin 2015, eksponentë kryesorë të PS, nisën publikisht diskutimet për legalizimin e kanabisit, duke krijuar në këtë mënyrë një klimë miqësore për kanabizimin e vendit.
Duke bërë kështu që në vitin 2016 vendi të mbulohet nga kanabisi. Plantacionet ruhen nga banda të armatosura dhe nën mbikëqyrjen e plotë të Policisë së Shtetit dhe zyrtarëve lokalë. Ish-Kryeministri Berisha theksoi se kjo qeveri, në funksion të kësaj politike që në ditët më të para të saj shkatërroi plotësisht policinë kriminale dhe strukturat vendore të saj duke vënë në krye njerëz dhe oficerë të implikuar me krimin dhe drogën, të shkarkuar dikur nga vetë qeveria socialiste.
Berisha theksoi se sipas statistikave zyrtare të Policisë së Shtetit, e cituar edhe nga raporti i Departamentit të Shtetit, thotë se, Policia e Shtetit ka korrur këtë vit 2.5 milionë rrënjë kanabis, për të cilat nuk ekzistojnë dokumente zyrtare as dhe vetëm për një ton të asgjësuar. Pak kohë më parë Prokuroria denoncoi se droga nuk është shkatërruar sipas ligjeve të vendit, sipas të cilave droga e kapur sekuestrohet, administrohet dhe ruhet në prani të oficerit të Prokurorisë, ndërkohë që asnjë zyrtar nga Prokuroria nuk është ftuar të marrë pjesë në asgjësimin e drogës së kapur. Zoti Berisha theksoi se droga nuk është asgjësuar, por ka mbushur tunelet, depot e ushtrisë, policisë dhe rezervave shtetërore.

Vendi në një situatë të paprecedent

Në takimin me kryetarin e Komisionit parlamentar për Marrëdhëniet me Jashtë në Parlamentin hungarez, Zsolt Nemeth, ish kryeministri Berisha u shpreh se “opozita, në qindra e qindra reagime, deklarata ka denoncuar kanabizimin e Shqipërisë, lidhjet e policisë, ministrave dhe të vetë Ramës me drogën. Kështu që sot, kundër saj janë jo vetëm armata e trafikanëve, kultivuesve, rojtarëve, pushtetarëve të drogës, por edhe miliardat e narko-eurove, me të cilat mund të blejnë edhe një mijë euro çdo votë”, u shpreh Berisha.
Pra, Edi Rama, theksoi ai, ka ndërtuar narko-policinë, narko-deputetët, narko-pushtetarët e vet dhe njëlloj si Noriega, bankën e tij për larjen e parave të drogës.
Berisha shprehu gjithashtu shqetësimin dhe për përdorimin e administratës publike dhe strukturave të shtetit në funksion të zgjedhjeve elektorale. E gjithë administrata, Policia, Ushtria, Garda etj., janë kthyer në “patronazhistë” me detyrimin për të mbushur formularët me nr e ID Card dhe të telefonave të familjarëve, miqve dhe të njohurve të tyre që do të votojnë për PS.
Në këtë kontekst, Berisha e cilësoi situatën në të cilën ndodhet vendi si të paprecedentë dhe shumë të rrezikshme, por shprehu bindjen që PD s’do të lejojë që vendi të mbetet një narko-Republikë, por do ta nxjerrë atë nga kjo situatë.

Artikulli paraprakRama sulmon sërish Presidentin Trump nga Franca: Shpresojmë mos të ketë sërish ndonjë çudi
Artikulli tjetërAmbasadori i Zvicrës: Populli kërkon zgjedhje të lira dhe të ndershme