Rama vijon të mbajë peng zgjidhjen politike të krizës që ka përfshirë vendin. Mbrëmjen e djeshme, në selinë e Presidencës, me ndërmjetësimin e Presidentit Nishani, Kreu i PD, Basha u takua me Kryeministrin Rama me qëllim dialogun mes palëve për afrimin e një zgjidhjeje politike ka do t’i hapte rrugë zgjidhjes së krizës në vend si dhe zhvillimit të zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. Pas takimit, i cili zgjati rreth dy orë, palët nuk arritën në një marrëveshje. Kjo pasi, Rama gjatë takimit nuk kishte ofruar asnjë hap që do të çonte në garantimin e votës së lirë si dhe luftën ndaj krimit dhe drogës si dy fenomenet që sot kërcënojnë zgjedhjet e lira. Pa dekriminalizimin dhe pa luftën ndaj drogës gjetja e një zgjidhjeje politike me palën tjetër do të jetë shumë larg. “Takimi i sotëm ishte për fat të keq një përsëritje e takimit të djeshëm. Zoti Rama erdhi në tryezë pa asnjë ofertë, përveç mos ofertës së takimit të djeshëm, i cili buron nga mungesa totale e vullnetit për të realizuar krizën e rëndë politike në vend, si rezultat i gjendjes së rendit dhe sigurisë, për shkak të krimit dhe pushtetit të inkriminuar, si rezultat i drogës dhe parave të drogës, si rezultat i marshimit të administratës publike si një garnizon elektoral në funksion të Partisë Socialiste dhe pushtetit. Mos realizimi i dy problemeve tashmë ndërkombëtarisht të njohura dhe të pranuara, si kërcënim ekzistencial për votën e lirë të shqiptarëve përbën një mos premisë për zgjidhje. Nëse nuk pranohet nga pala tjetër se kriminelët e veshur me pushtet, të cilët në shkelje dhe dhunim të ligjit të dekriminalizimit vazhdojnë të mbajnë pushtetin e tyre, nëse nuk pranohet problemi i madh dhe kërcënimi që vjen nga droga, paratë e drogës dhe fenomeni i kultivimit të drogës, për mundësinë që qytetarët shqiptarë të shprehen të lirë, të pakërcënuar, të pablerë e të pa shitur nga skalionët e baronëve të drogës të lidhur me pushtetin, si mund të vihet në një zgjidhje realiste për krizën e rëndë politike”, u shpreh Basha pasi doli nga selia e Presidencës.
-Oferta juaj cila ishte zoti Basha?
Vendi ka nevojë për një zgjidhje politike. Këtë e thonë shqiptarët. Këtë e them unë, Partia Demokratike, opozita dhe e thotë tashmë e gjithë bota. E gjithë bota e di se, Shqipëria në këto katër vite ka akumuluar një problem të tmerrshëm të kriminelëve në zyrat e shtetit, deputetë, kryetarë bashkish, drejtorë policie, dhe të institucioneve të tjera shtetërore. E gjithë bota e njeh problemin e jashtëzakonshëm të Shqipërisë së kthyer në një Kolumbi në zemër të Europës, por në ndryshim nga Kolumbia me një kontroll hierarkik vertikal nga vet pushteti i cili, e përdor drogën si një instrument politik dhe si një instrument pasurimi dhe bëhet gati ta përdorë atë si një instrument asgjësimi të vullnetit të lirë të qytetarëve shqiptarë.
Zgjidhja e ofruar sipas kryeministrit nuk është një zgjidhje politike. Monitorimi në radhë të parë, është detyrë e institucioneve të monitorimit, dhe monitorimi nuk mund të kufizohet dhe nuk do të kufizohet as nga institucionet e monitorimit vetëm në çështjen e keqpërdorimit më të shëmtuar dhe më masiv të shtetit, punonjësve të shtetit, të të afërmve të tyre, të cilët marshohen me urdhra përkundër kërcënimeve për pushim nga puna, në mitingjet paraelektorale të Edi Ramës, dhe nëse ne pranojmë të jemi alibi dhe fasadë e këtij procesi do të marshohen në të njëjtën mënyrë për të votuar jo si qytetarë të lirë, por si skllevër të një shteti të bërë njësh me pushtetin, të kërcënuar nga krimi dhe kriminelët me pushtet, e të kërcënuar nga droga. Pa njohjen e këtyre dy problemeve themelore, natyrisht edhe problemit të tretë të shtetit si garnizon elektoral, pa njohjen dhe pranimin e kërcënimit jetik ekzistencial për demokracinë, për bashkëjetesën demokratike, për zgjedhje të lira dhe të ndershme, nga krimi në pushtet dhe nga droga nuk mund të ketë asnjë premisë për të kërkuar dhe gjetur së bashku zgjidhje. Vullneti politik i Partisë Demokratike, i opozitës dhe i imi nuk ka munguar në ansjë çast, vullneti politik i palës tjetër vihet në dyshim, dhe në fakt asgjësohet në momentin që pala tjetër nuk pranon jo thjeshtë përgjegjësinë për situatën e vendit, për krizën politike, e trajton atë si një krizë partiake kur gjithë bota flet për një krizë politike. Por nuk pranon as problemet kryesore që e sollën Shqipërinë në këtë krizë politike, që u demonstruan qartësisht në të gjitha zgjedhjet e administruara nga kjo qeveri dhe nga ky kryeministër. Prandaj gjykoj se e vetmja rrugë përpara është realizimi nga pala kundërshtare, nga pala tjetër politike në këtë proces me një sens realiteti në radhë të parë i krizës ku është vendi, në radhë të dytë, i faktorëve të kësaj krize, të akaparimit total të shtetit, nga interesat e krimit dhe drogës, të oligarkëve të koncesioneve dhe tenderave dhe trajtimit të shtetit si pronë private që sjellin edhe problemet kryesore me të cilat përballen shqiptarët, që janë sot varfëria, papunësia, shërbim shëndetësor në kolaps, sistemi arsimor në të gjithë zinxhirin e tij në kushte jashtëzakonisht të pavaforshme për fëmijët dhe studentët shqiptarë, ekonomia në ngërç total, që jo vetëm nuk prodhon më vende pune, por dhe paga dinjitoze për njerëzit, por është në procesin e shkatërrimit të biznesit të vogël, përmes falimentimit, përmes nxjerrjes në rrugë nga të gjithë kompanitë, në kushtet e një asfiksimi ekonomik, të gjitha këto janë produkt i një shteti të kapur nga krimi dhe droga. Me paratë e krimit dhe të drogës tani synohet kapja e zgjedhjeve. Realizimi i këtyre të vërtetave të mëdha, që ju i njihni shumë mirë, që bota e njeh, që shqiptarët i njohin, mund të vijë vetëm përmes dy rrugëve, së pari, nëse pala tjetër ndal fshehjen pas gishtit dhe pranimin e përgjegjësive dhe bashkë me pranimin e përgjegjësive është gati të marrë përgjegjësitë për të dalë të bashkuar kundër krimit dhe drogës dhe jo për ta konsideruar krimin dhe drogën aleat të pazëvendësueshëm për prishjen e zgjedhjeve dhe ky realizim do të vijë herët a vonë. Shpresoj herët duke i thirrur logjikës dhe arsyes, por në çdo rast, duke u përballur me vullnetin e një populli, i cili pasi ka parë t’i vidhet ekonomia, shëndetësia, arsimi, punësimi, rendi dhe siguria të helmohet e të drogohet nuk është më i gatshëm të pranojë edhe vjedhjen e fundit, vjedhjen e të nesërmes përmes asgjësimit të zgjedhjeve, por është e do të jetë i gjithi në këmbë të djathtë e të majtë, për të pamundësuar vjedhjen e vullnetit të shqiptarëve për të zgjedhur qeverinë dhe Parlamentin me votë të lirë, e drejtë e sanksionuar 27 vite më parë e kurrsesi nuk mund të zhbëhet në kushtet ku ndodhet vendi sot.
-Zoti Basha, po draftin e McAllister do ta pranonit sot?
Ne kemi qenë në një proces negociatash. Nuk ka kam ndërmed t’i përgjigjem pyetjeve me nëse. Ajo që është ofruar sot është siç u shpreh kryeministri, një proces monitorimi dhe jo një zgjidhje politike siç kërkohet dhe lypset nga momenti dhe nga shqiptarët.
-A paraqitët kundërpropozim ju zoti Basha?
Po, kundër propozimi ynë ka qenë i qartë. Përbëhet nga dy kollona. Kollona e parë është një qeveri teknike me mandate pikërisht për të zgjidhur dhe për të ndalur influencën e krimit dhe drogës në zgjedhjet e adhshme, për t’i dhënë shqiptarëve kushtet për zgjedhje të lira dhe të ndershme dhe në këto kushte kollona e dytë është eksplorimi i mundësisë që brenda 6 muajve që nga momenti i marrëveshjes politike, të realizohet votimi elektronik biometrik dhe numërimi biometrik, për të cilat ka munguar tërësisht vullneti politik.
-Zoti Basha, mesa duket edhe ju paskeni ndryshuar ofertën. Megjithatë, a jeni ju i gatshëm të hiqni dorë për hir të kompromisit, të mos kërkoni largimin e kryeministrit dhe përse nuk e pranuat paketën McAllister para 10 ditësh?
Mendoj që përgjigjen për këtë ju e keni marrë para dy ditësh në shkallët e Partisë Demokratike, por po e përsëris prap meqë jemi para qytetarëve. Propozimet e ofruara, të cilat më ishin bërë të ditura dy javë më parë përmes kanaleve afër kryeministrit, pra me siguri propozime të lobuara nga kryeministri, nuk ofron zgjidhjen politike. Katër ministra teknikë të propozuar nga kryeministri me aprovimin e opozitës në kushtet, kur kryeministri ka akaparuar parti të tëra opozitare, deputetë të opozitës madje edhe deputetë të koalicionit të tij si manovra politike për të realizuar synimet e tij politike nuk ofrojnë asnjë garanci që e njëjta gjë nuk do të ndodhë me 4 qytetarë që i zgjedh Edi Rama që i aprovojmë ne dhe brenda 24 orëve do të gjenden para zgjedhjes; zhagen ose presionin total të kryeministrit. Zgjidhja politike vjen përmes vullnetit politik, i cili duhet të ketë si premisë realizimin e gjendjes ku është vendi. Duhet të ketë si premisë pranimin e gjendjes së krimit dhe drogës në vend dhe vetëm mbi këto baza mund të shkohet drejt një zgjidhje me dialog.
-Zoti Basha, për hir të kompromisit do të ishit dakord që të hiqnit dorë për kryeministër teknik?
Ne kemi paraqitur dy shtylla dhe nga ky propozim ne nuk kemi marrë asnjë përgjigje. Sigurisht, nuk kam ndërmend të zbuloj para jush pozita tona negociatore. E kam thënë dhe e përsëris, jam i gatshëm që çfarëdo që Partia Demokratike dhe unë personalisht mund të ofrojmë, ta ofrojmë në funksion të zgjidhjes që duhet të jetë për qytetarët. Por ajo që nuk mund të bëjmë është që t’u japim qytetarëve alibinë se do kenë mundësi të votojnë të lirë dhe të pakërcënuar, kur kjo nuk do të ndodhë, kur kërcënimi nga droga, krimi dhe një administratë e marshuar nën urdhëra politikë janë realiteti siç kanë qenë në këto 3 vite e gjysëm në të gjitha proceset elektorale.
-Cilat do të ishin hapat që duhet të ndodhin brenda 6 muajve?
Propozimi ishte i detajuar. Nëse do të kishte një marrëveshje politike, propozimi im ishte fare i thjeshtë nisur nga momenti i marrëveshjes politike. Brenda 3 javëve të eksploronim, nëse votimi elektronik do të ishte i mundur brenda një periudhë 6-mujore. Nëse do të ishte i mundur, atëhere të veprohej menjëherë, sepse ky në vetvete ndonëse duket si një zgjidhje teknike ofron garanci politike për një numër problemesh që ju i njihni fare mirë siç është tjetërsimi i kartave të identitetit, sekuestrimi i tyre nga krimi apo nga shumat e parave, kartat e identitetit falso, votimi i shumëfishtë, votimi tjetër për tjetër dhe i gjithë presioni i një ushtrie prej 40 mijë mijë militantësh të helmuar dhe kontaminuar në radhët e tyre me kriminelë për tjetërsimin e vullnetit të qytetarëve përmes procesit të numërimit. Të gjitha këto marrin fund. Qytetarët votojnë në një dhomë pa komisionerë të partive politike, vetëidentifikohen dhe në momentin e votimit të qytetarit të fundit, rezultati kombëtar shpallet para qytetarëve. Pra, eliminohen të gjitha këto probleme.
-Zoti Basha, nëse 4 ministrat do të propozoheshin nga ju dhe do të miratoheshin nga Edi Rama, a do të ishte kjo një ofertë e cila mund të pranohej nga ju?
Tani nuk kam ndërmend këtu nëse dhe as se. Sepse jemi në proces negociate, nuk kam ndërmend t’i paraprij negociatave, duke bërë hamendësime, të cilat nuk na çojnë askund. Fakti është që Edi Rama mbetet tek propozimi i djeshëm, që është një mospropozim dhe mosofertë për zgjidhje dhe ky është edhe shkaku se pse bisedimet e sotme janë vendnumëro.
-Kur do jetë takimi i radhës. A do vazhdojnë negociatat?
Prej ditës tonë të parë kemi parashtruar dialogun si mënyrën tonë të preferuar të zgjidhjes së krizës politike në vend, sepse besojmë dhe jemi të përkushtuar që zgjidhja e kësaj krize të rëndë politike me kosto për çdo shqiptar, për tavolinat e çdo shqiptari, për xhepat e çdo shqiptari, për punën, shëndetin, arsimin, mirëqenien e çdo shqiptari duhet të vijë me një faturë sa më të vogël dhe kjo vjen përmes dialogut politik dhe zgjidhjes politike. Por asnjë shqiptar nuk duhet të ketë iluzion se diçka po përmirësohet për mirë në jetët e tyre kur krimi, droga, dhe përdorimi i shtetit si çiflig personal, tjetërsimi i të ardhurave të shqiptarëve në funksion të një grushti oligarkësh, kriminelësh dhe baronësh të drogës që e kanë shtëpinë në selinë e qeverisë dhe funksionojnë në funksion të qeverisë dhe kryeministrit, do të përmirësojë jetët e tyre. Asgjë nuk do të ndryshojë, nëse opozita tradhëton këtë kauzë qytetare për hir të interesave të saj të ngushta politike. Gjithçka do të ndryshojë, nëse ne qendrojmë të bashkuar në këtë betejë për t’i dhënë shqiptarëve një republikë me të vërtetë të qytetarëve dhe jo të politikanëve dhe aq më pak të krimit, drogës dhe korrupsionit.