Ministrja e Jashtme e Suedisë, Margot Wallstrom, ka deklaruar se Shqipëria meriton zgjedhje të lira.
Në kuadër të vizitës në Tiranë, Wallstrom zhvilloi një takim dje me ministrin e Jashtëm, Ditmir Bushati. “Shqipëria meriton zgjedhje të lira dhe me pjesëmarrjen e plotë të opozitës”, tha Wallstrom.
Ecuria e reformës në drejtësi dhe vettingu, u shpreh shefja e diplomacisë suedeze, lidhen ngushtë me procesin e integrimit të Shqipërisë në BE. “Ne mirëpresim progresin në procesin e integrimit europian dhe implementimin e reformës në drejtësi. E kuptojmë që kjo nuk është një bisedë e lehtë, por mund të arrihet përmes një marrëveshjeje mes qeverisë dhe opozitës. Vettingu gjithashtu është me rëndësi për procesin e integrimit në BE”, shtoi ajo.