Një atentat me eksploziv ndaj një biznesmeni dështoi paraditen e së shtunës në qendër të qytetit të Elbasanit. 300 gram C4 u gjet poshtë një automjeti Golf 4. Ai u zbulua nga përdoruesi i makinës, pasi në momentin që hapi derën dëgjoi zhurmën e shpërthimit të kapsollës. Diçka nuk funksionoi dhe eksplozivi nuk shpërtheu. Me lajmërimin e policisë u bë menjëherë rrethimi i zonës. Forcat e policisë krijuan një perimetër sigurie, duke bllokuar rrugën dhe larguar njerëzit deri në mbërritjen e specialistëve Antieksploziv nga kryeqyteti.
Forcat Antieksploziv e çaktivizuan me shpërthim të kontrolluar lëndën plasëse. Eksplozivi ishte lidhur me një celular dhe sipas hetuesve tentativa për ta aktivizuar u bë në distancë. Grupi hetimor pritet të marrë në pyetje pronarin e mjetit, me inicialet F.V, por edhe persona të tjerë, të cilët përdorin këtë makinë. Pas më shumë se dy orësh u kthye normaliteti në një nga zonat më të populluara në Elbasan. Sipas policisë në Lagjen “Luigj Gurakuqi”, në Bulevardin kryesor në kryqëzimin “Kristoforidhi”, është marrë informacion se në tokë poshtë një automjeti që ishte i parkuar ndodhej një pako e zezë e dyshuar me lëndë plasëse. Menjëherë në vendngjarje kanë shkuar shërbimet e policisë, të cilat kanë evakuuar personat përreth, duke vendosur perimetrin e sigurisë.
Në vendngjarje mbërritën forcat antieksploziv të RENEA-s, ku pas veprimeve të para rezultoi se brenda pakos kishte lëndë eksplozive. Specialistët antieksploziv të RENEA-s më pas bënë çaktivizimin e lëndës plasëse. Nga këqyrja paraprake rezultoi se, brenda pakos kishte rreth 300 gramë lëndë eksplozive si dhe një aparat celular. Grupi hetimor po vijon punën për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes, si dhe për të përcaktuar nëse lënda eksplozive ishte vendosur me qëllim shpërthimin e automjetit në pronësi të shtetasit F.V që ndodhej i parkuar, apo ka pasur destinacion tjetër.