15 milionë euro!

Me humbjen e fundit me Genoan, kriza e Interit nuk po njeh kufij e në këto kushte edhe fati i Piolit duket i shkruar. Në fund të sezonit pritet largimi i trajnerit, ndërsa drejtuesit kinezë do të provojnë ta ringrejnë skuadrën duke nisur nga pankina. 15 milionë euro në sezon, kjo është shuma për të bindur Antonio Conten ose Diego Pablo Simeonen për t’u transferuar në Milano. Në rast refuzimi ka dalë në skenë edhe emri i Roberto Mançinit, për të cilin do të ishte një rikthim te zikaltrit.
Kuptohet qartë që tek Interi nuk janë dorëzuar, pavarësisht përgjigjeve të vazhdueshme negative të Simeones, që në fakt gjithmonë kanë lënë një shteg për aludim. Në Pinetina është krijuar bindja e fortë se nevojitet një trajner me karakter dhe që ka dhënë prova për të ringritur Interin.
E vetmja rrugë për të siguruar një përgjigje pozitive nga Simeone ose Conte është vënia në tavolinë e një oferte të parezistueshme financiare, ku do të përfshihen edhe bonuset dhe premiot në rast suksesi.
Sigurisht që oferta për trajnerit përfshin edhe një shumë të madhe parash e destinuar për merkaton, pasi projekti i ri kërkon edhe futbollistë cilësorë. T’i rrëmbesh Atleticos apo Chelsea-t trajnerin nuk mund të jetë kurrsesi e lehtë, për këtë arsye është gati një listë e gjatë me alternativa. Që nga Spalleti, që është gjithnjë e më larg Romës, te Jardim i Monacos, Paulo Sousa, Prandelli e Di Francesco.
Inter humbi sërish të dielën me rezultatin 1-0 në Genoa, duke dërguar në shtatë, numrin e ndeshjeve pa fitore në kampionat. Genoa shënoi në minutën e 70 golin e vetëm të takimit, me anë të sulmuesit maqedonas, Goran Pandev dhe hodhi një hap mjaft të rëndësishëm drejt sigurimit të qëndrimit në Serinë A. Nga ana tjetër, Inter i Piolit nuk arriti të shënojë as me 11-metërsh me Candrevën, ndërsa e mbylli ndeshjen me 10 futbollistë pas kartonit të kuq ndaj Kondogbia.
Gjithsesi, duket se askush nuk e do Europa Ligën në Itali, pasi ekipet pretendente po vazhdojnë serinë e rezultateve negative. Krahas Interit, edhe Fiorentina u ndal në barazim 2-2 në Sasuolo, ndërkohë që vinte pas humbjes në Palermo javën e kaluar.
Lazio e Strakoshës ka arritur të marrë një fitore spektakolare, 7-3 ndaj Sampdorias, e cila luajti me 10 futbollistë për rreth 75 minuta lojë. Në luftën për mbijetesë, si Empoli edhe Crotone arritën të marrin fitore në takimet respektive, duke lënë garën akoma të hapur.

Artikulli paraprakBesart Berisha shënon, por Melbourne humbet finalen
Artikulli tjetërLazio i shënon 7 gola Sampdorias