Hasia

Edison YPI

Hasia, nëna ime, nuk ishte ndonjë amvisë a nikoqire kushedi se çë.
Hasia ishte tjetërlloj. Hasia, në gjak, në lëkurë, në thua, në ind, në qelizë, ishte Bejlereshë.
Hasia pinte kafe, tymoste cigare, rrëfente meselera të vjetra e të reja me të ikë mendja.
Hasia nuk kishte bërë shkollë të madhe. Ama Hasia linte me gojë hapur të madh e të vogël tek llafosej; nga Homeri tek Tolstoi, nga Çezari tek Çurçilli, nga Naim Frashëri tek Pushkini. Hasia ishte një magji e gjallë.
Hasien mahnitëse të gjithë e donin. Hasies së urtë të gjithë i faleshin. Fëmijët, të rriturit, ngatërrestarët, sherrxhinjtë, të pashkollët, të arsimuarit, të gjithë i kërkonin orientime, këshilla, zgjidhje.
Hasia nuk lexonte shumë apo pak. Hasia lexonte jo vetëm librat që i sillnim ne fëmijët, por gjithçka të shkruar që i shihnin sytë, i kapte dora, deri edhe copat e letrave në dysheme që ja kapte fshesa.
Hasia flise vetëm mirë.
Hasia nuk fliste kurrë keq për askënd.
Ata për të cilët Hasia duhej të fliste keq, për shembull për diktatorin që i burgosi djalin, Hasia nuk fliste fare. Vrasësit Hasia i injoronte me një heshtje dhe një përbuzje të barazvlefshme me pushkatimin.
Se si ja arrinte Hasia ta komunikonte tek bashkëbiseduesit përbuzjen asgjësuese për vrasësit pa ua përmendur emrat, është një sekret që s’ka për tu zbuluar kurrë. Atë sekret Hasia e mori në varr.
Të gjithë, nga më i madhi i fëmijëve e, deri tek më i vogli i nipave, Hasien e kemi dëgjuar gojëhapur dhe frymëndalur në gjunjë para saj si para Perëndisë.
Hasia ishte një Univers i pashterrshme vetpërmbajtjeje, mirsjelljeje, morali, urtësie, diturie.
Hasia ishte një katedrale madhështore përuljeje dhe respekti; për të diturin, të aftin, të talentuarin, të moshuarin, të sëmurin, hallexhiun.
Hasia ishte dhe një rrëfimtare e pashoqe.
Nga përrallat tek faktet e përditshmërisë, asgjë që rrëfente Hasija nuk mund të vihej në dyshim prej askujt.
E bija e Beut, Hasia, lindi e u rrit në Pacomit, një fshat i vogël në Luginën e Vjosës pranë Përmetit.
Kohështrirja e rrëfimeve të Hasies ishte “Ab aeterno”, e gjithë koha që nga fillimi i fillimeve, që kur koha ka nisur.
Gjeografia e rrëfimeve të Hasies ishte i gjithë planeti rrethepërqark nga Shqipëria në Shqipëri.
Për çfarë nuk rrëfente Hasia o Zot.
Për luftra, mbretër, perandorë, princër, ushtri të huaja, udhëtime, ndërlikime, fejesa, martesa, trashëgimtarë, gjithçka-gjithçka.
Por shumica e rrëfimeve të Hasies lidhej me Bektashizmin, Gjuhën Shqipe, Rilindjen, rilindasit, Naimin, Çajupin, Kristoforidhin etj.
Hasija nuk bëri universitet në Europë si mikeshat e saj bejleresha. Deshte, por nuk mundi. Ja si ndodhi;
Rushan Beu, pasi mbushi brezin me florinj, mori dy çupat e tij, Hasien dhe Shefikatin, nënën dhe tezen time, i hipi mbi kalë. Mbi një tjetër kalë hipi vetë, dhe u nis.
-Ku po i shpie çupat o Rushan Bej ? e pyeti një i njohur afër Këlcyrës.
-Në Europë, në Austri, në Vjenë, në Universitet, u përgjigj Rushan Beu.
-Mos e bëj atë gabim.
-Pse ?!
-Se do të bëhen kurva.
Rushan Beu u kthye.
Pikat kryesore të referimit në rrëfimet e Hasies ishin Teqetë. Kryesisht Teqeja e Alipostivanit pak mbi Pacomit, por edhe teqetë e tjera në Skrapar dhe Kolonjë.
Në rrëfimet e Hasies, Babai i Teqesë ishte njëkohësisht; Mbret, Sulltan, Vezir, Pasha’, Parlament, Kryeministër, President, Gjykatës suprem. Babai i Teqesë me vetëm pak fjalë zgjidhte problemet më të ndërlikuara që nuk mund t’i zgjidhte dot as shpata as jatagani, asnjë shtet, asnjë gjykatë, madje asnjë ushtri. Babai i teqesë i urdhëronte Bejlerët. Bejlerët s’kishin asnjë pushtet mbi Babain e Teqesë.
Hasia rrëfeu pa u ndalur me dhjetra vite deri ditën kur kaloi matanë.

Artikulli paraprakRama diskriminon Veriun
Artikulli tjetërVjosa rrezikon disa fshatra nga përmbytjet