Skandal/ Tahiri fshehu kalimin e vrasësit Frroku nga sistemi TIMS

Arben Frroku u arratis nga Shqipëria më datën 20 qershor të vitit të kaluar, dy ditë para zgjedhjeve lokale, pasi e kreu misionin e tij për t’i dhënë fitoren PS-së në Pukë. Prokuroria zbuloi se, Frroku nuk ishte regjistruar në sistemin TIMS kur kaloi në pikën kufitare. Frroku u ndalua nga Policia e Malit të Zi në kufi me Kroacinë, ku u mbajt për rreth pesë orë për verifikim, pasi ka rezultuar person i shpallur në kërkim. Autoritetet e Malit të Zi e kanë mbajtur të izoluar Frrokun, duke i kërkuar Ministrisë së Brendshme shqiptare të dhëna ndaj tij, por Tahiri u konfirmoi autoriteteve malazeze se ndaj Frrokut nuk ka asnjë urdhër arresti. Pas konfirmimit nga Ministra e Brendshme shqiptare autoritetet malazeze e lanë të lirë Frrokun për të udhëtuar drejt Kroacisë.
Frroku ka mundur të largohet nga vendi pak ditë, pasi jepej vendimi i Apelit, duke mos hasur në asnjë pengesë as për faktin që ishte ende i dyshuari kryesor për vrasjen e komisarit Dritan Lamaj dhe pse sipas Prokurorisë të gjitha provat dhe dëshmitë faktonin se ishte ai autori që qëlloi mbi komisarin.
Rama dhe Tahiri i hapën rrugën Frrokut jo vetëm brenda kufijve, por në çdo pikë kufitare me shtetet e tjera. Arratisja e Frrokut ishte shpërblimi që Rama i bëri atij në këmbim të fitores që ai i siguroi PS-së në Pukë, në zgjedhjet lokale të 21 qershorit. Një ditë para se të arratisej, Frroku ka qëndruar me Ramën në një lokal në Pukë, ku prej ditësh ai bënte fushatë për fitoren e kandidatit të majtë.
Pas arratisjes, Prokuroria nisi hetimet dhe zbuloi se Frroku nuk ishte regjistruar në sistemin TIMS ditën që u largua nga Shqipëria drejt Malit të Zi, ç’ka vërtetonte se ai ishte lejuar nga autoritetet shqiptare që të arratisej. Hetuesit verifikuan sistemin TIMS dhe sipas tyre, Frroku nuk rezultonte i regjistruar as në dalje dhe as në hyrje. Sipas Prokurorisë, Arben Frroku mund të jetë larguar nga territori shqiptar, pa u kontrolluar ose punonjësi i policisë në pikën doganore nuk e ka regjistruar daljen e tij. Sipas organit të akuzës, Frroku është ndihmuar nga autoritetet shqiptare që të arratiset pa lënë gjurmë dhe për këtë shkak nuk është regjistruar në sistemin TIMS në pikën kufitare.

Frroku i dënuar nga Apeli me “burg për jetë”

Gjykata e Apelit për Krimet e Rënda vendosi të pranojë kërkesën e Prokurorisë për ta dënuar me “burg për jetë” Arben Frrokun, të akuzuar si autor të vrasjes së komisarit Dritan Lamaj. Gjykata e Apelit ka vendosur të prishë vendimin e Shkallës së Parë për Frrokun. Për pesëçen e gjyqtarëve, biznesmeni është autor i vrasjes së Kryekomisar, Dritan Lamaj. Për këtë arsye, me vendim të formës së prerë, Gjykata e dënoi Arben Frrokun me burgim të përjetshëm, duke i dhënë të drejtë Prokurorisë.
Trupa gjyqësore ka vendosur të lexojë vetëm dispozitivin e vendimit, ndërsa në ditët në vijim pritet zbardhja e vendimit për të parë dhe argumentat që ka përdorur Gjykata për të mbërritur në këtë vendim. Ndërkohë, që në Apel vendimi bëhet i ekzekutueshëm, Arben Frroku nuk ndodhej në Shqipëri pasi ishte arratisur.
Frroku u arratis nga Shqipëria për t’i shpëtuar vendimit të Gjykatës së Apelit. Arben Frroku është ndaluar nga policia e Malit të Zi në kufi me Kroacinë për disa orë, ku është mbajtur për rreth pesë orë për verifikim, pasi ka rezultuar person i shpallur në kërkim. Autoritetet e Malit të Zi e kanë mbajtur të izoluar Frrokun, por më pas ka ndërhyrë Ministria e Brendshme shqiptare, duke e lënë të lirë për të udhëtuar për në Kroaci.
Frroku është shpallur i pafajshëm për akuzën e vrasjes së komisarit Dritan Lamaj, ngjarje e ndodhur më 24 shkurt të 2013, por dje Gjykata e Apelit të Krimeve të Rënda ka vendusr “burg për jetë” për të.
Gjatë seancave gjyqësore u kërcënuan disa herë dëshmitarët ndaj Frrokut. Dëshmitari kyç në gjyqin ndaj Arben Frrokut është kërcënuar disa herë nga familjarët e vrasësit, ndonëse ishte marrë në mbrojtje nga policia. Kërcënimi ka ndodhur natën, që dëshmitari kyç i Prokurorisë së Krimeve të Rënda, Fatmir Vladi, me emër të ndryshuar nga Prokuroria, Arben Ndoka, ishte marrë në mbrojtje nga policia, pasi kishte fituar statusin e mbrojtjes.
Policia e kishte vendosur dëshmitarin në një banesë, ku edhe ruhej me policë, por në mbrëmje ka shkuar babai i Arben Frrokut, të akuzuarit për vrasjen e komisarit dhe e ka kërcënuar se do ta zhdukë, nëse del dëshmitar në gjyq kundër të birit. “Do të të zhduk me gjithë familje, nëse t’i del dëshmitar në gjyq kundër djalit tim”, i është drejtuar babai i vrasësit dëshmitarit. Pas kërcënimit të dëshmitarit në banesë, Arben Frroku zbuloi identitetin e tij publikisht, duke deklaruar se e njihte dëshmitarin dhe ai nuk quhet Arben Ndoka, por Flamur Vladi. Zbulimi i identitetit të dëshmitarit kyç në procesin gjyqësor kundër Arben Frrokut është bërë nga radhët e policisë, që mbrojnë dëshmitarët.
Arben Frroku u arrestua më 25 shkurt 2013 në Greqi, pas dyshimeve të Prokurorisë për Krimet e Rënda se ishte i përfshirë në vrasjen e kryekomisarit Dritan Lamaj. Ai u arrestua së bashku me shtetasin Jak Jaku.

Frroku festoi me 14 shishe uiski, aq sa plumba i dha komisarit

Komisar Dritan Lamaj u vra mbrëmjen e 23 shkurtit 2013 pranë bllokut “Vasil Shanto” në kryeqytet. Për vrasjen e Lamajt u akuzua Arben Frroku, i cili u arrestua pas disa ditësh në Greqi, ku ishte arratisur menjëherë pas vrasjes së Lamajt.
Prokuroria e Krimeve të Rënda, në konkluzionet përfundimtare, argumentoi dëshmi, prova dhe fakte që lidhin të pandehurin Frroku me vrasjen e Dritan Lamajt, ish-komisarit të policisë. Sipas prokurorëve, dëshmitarë okularë kanë parë të pandehurin të qëllojë mbi Dritan Lamajn, ndërsa ishte i shoqëruar nga dy persona të maskuar në automjetin e tij. Në konkluzionet e akuzës u mësua se dëshmitari Arben Ndoka, ka qenë pjesë e fushatës elektorale të 2009 me të pandehurin Frroku. Pas vrasjes, prokurorët thanë se i pandehuri, ndërsa largohej drejt Greqisë i ka kërkuar në telefon njerëzit e tij të festojnë me 14 shishe xhek, po aq plumba sa u qëllua dhe komisari Dritan Lamaj.
Prokurorët e çështjes thanë se, Dritan Lamaj u vra për shkak të detyrës si ish-shef i Komisariatit Nr. 6 në Tiranë. Për organin e akuzës, konflikti mes Frrokut dhe kryekomisarit ka nisur gjatë 2012-ës dhe ka kulmuar më pas me shoqërimin e Arben Frrokut në polici. Prokurori lexoi pjesë të tëra nga dëshmia e Flamur Vladit që Prokuroria e prezantoi me emrin e rremë Arben Ndoka, pasi i kishte dhënë atij statusin e “dëshmitarit të mbrojtur”. Ai ka pranuar para Gjykatës, se e ka njohur Frrokun si autor të vrasjes.
Arben Ndoka, është njeriu që ka parë të dyshuarin Frroku të largohej nga vendngjarja. “Unë e njoh Arben Frrokun, pasi në 2009-ën kam marrë pjesë në fushatën e PKD-së, si dhe kam mbështetur Mark Frrokun. Për këtë, Arbenin e njihja si fytyrë. Kisha dalë me bashkëshorten, shton më tej dëshmitari, dhe pashë makinën përballë, e cila u përplas fillimisht te një bordurë. Kur më kaloi pranë pashë Arben Frrokun, me maskën që e kishte ngritur në ballë dhe dy persona të tjerë. Mora targat e makinës dhe më pas njoftova policinë”, mësohet të ketë thënë Ndoka.
Për të provuar dëshminë e tij, prokurorët thanë se tabulatet telefonike të Ndokës tregojnë se ai ka komunikuar me policinë, se makina që ai njoftoi autoritetet është e njëjta me atë që u gjet më pas e djegur. Por, prokurorët sollën edhe 3 dëshmi të tjera mbështetëse të dëshmitarëve, që pohojnë të njëjtin mekanizëm të ndjekur për vrasjen e Dritan Lamajt, si edhe dëshmitë e dy ish-zyrtarëve të lartë të Policisë së Shtetit, që tregojnë se çfarë u rrëfeu ai dhe si i ofruan mbrojtje dëshmitarit kyç në proces.
Më herët, gjatë procesit është rrëzuar edhe një tjetër alibi e Frrokut, se nuk mund të udhëtonte nga Tirana për në pikën doganore të Kapshticës për 3 orë. Por, në një eksperiment të realizuar në 25 shkurt të vitit të kaluar nga Gjykata e Krimeve të Rënda, ky segment u përshkua për 2 orë e 46 minuta që sipas prokurorëve është 11 deri 14 minuta më shpejt se koha që i është dashur Frrokut për t’u larguar. Pas seancës, avokatët e Frrokut thanë se dëshmitari është i blerë dhe se akuza nuk dha asnjë provë për të mbështetur pretendimet e saj. Tashmë radhën e ka mbrojtja për të thënë fjalën e saj dhe në fund, Gjykata do të vendosë për çështjen.

R.POLISI

Artikulli paraprakFaqja e parë
Artikulli tjetërPse u fsheh për dy muaj arrestimi i Frrokut në Holandë?