Basha: Rama nuk e njeh gjuhën e arsyes

Kryetari i opozitës, Basha deklaroi dje përmes një postimi në Facebook, se Rama nuk njeh forcën e arsyes, por vetëm gjuhën e  protesës. Basha thotë se vendimi i PD për të protestuar erdhi, pasi opozita i shteroi të gjitha rrugët e tjera të komunikimit politik me mazhorancën. Basha thotë se manifestimi i së shtunës do të jetë bashkimi më i madh popullor në historinë e këtyre 27 viteve.
“Shkaqet e krizës ku gjendet vendi janë tek politika e dështuar e Edi Ramës, tek futja e kriminelëve në politikë, tek kthimi i vendit në hambar droge, tek grabitja e çdo pasurie publike dhe mosmbajtja e asnjë premtimi.
Në 3 vite e gjysmë, ne e kemi bërë betejën tonë kundër kësaj politike shkatërruese, e kemi bërë në Kuvend, e në komunikimet publike, në media, në kancelaritë e huaja. E kam bërë unë, grupi ynë parlamentar, aleatët tanë opozitarë.
E kanë bërë edhe njerëzit e vlerave, intelektualët, akademikët, gazetarët e lirë, dhe mijëra qytetarë të thjeshtë. Por në 3 vite e gjysëm të kësaj beteje nuk është arritur dot as një e dhjeta e asaj që qytetarët e bashkuar kanë arritur në 81 ditë qëndresë.
Mësimi është i qartë, përfundimi është i thjeshtë për këdo që do të shohë dhe të kuptojë të vërtetën. Edi Rama nuk e njeh gjuhën e argumentimit, nuk e njeh forcën e arsyes. Ai njeh dhe mund të respektojë vetëm imponimin nga bashkimi qytetar dhe popullor përmes protestës, përmes manifestimeve, përmes mosbindjes civile, përmes betejës totale për zgjedhje të lira e të ndershme.
Ndaj sot ne përsërisim këmbënguljen tonë për të vazhduar betejën tonë deri në fitoren totale të kësaj kauze. Manifestimi dhe bashkimi më i madh në historinë e Shqipërisë demokratike, të shtunën në orën 12:00, tani është axhenda dhe kauza e çdo qytetari”, thotë Basha.

Artikulli paraprakFaqja e pare
Artikulli tjetërKandidatë nga gjyshja tek halla, listat e aleancës-Rama