Kryetari i opozitës Lulzim Basha u bëri thirrje dje shqiptarëve të bashkohen të shtunën në manifestimin më të madh të bashkimit popullor që ka njohur historia në këto 27 vite, duke sfiduar korrin e kukuvajkave që tentojnë të frikësojnë shqiptarët.
Basha tha se e shtuna e 13 majit do të jetë dita e bashkimit dhe një referendum për t’u ndarë një herë e mirë nga republika e vjetër. Sipas tij, e shtuna do të jetë dita kur të gjithë do të kurorëzojë kauzën e madhe të demokracisë që janë zgjedhjet e lira dhe të ndershme. Basha tha se, opozita e kërkoi rrugëdaljen me të gjitha format, që nga beteja parlamentare dhe përpjekjet për ta denoncuar tek çdo faktor të goditur nga korrupsioni qeveritar, por do ishte vetëm bashkimi i shqiptarëve më 18 shkurt që do të gjunjëzonte republikën e vjetër të kapur peng nga krimi dhe droga. “Gëzimi nuk i është ndarë asnjë çast këtij sheshi të lirisë, pavarësisht prej brengave dhe krizës ku e ka zhytur Shqipërinë republika e vjetër, sepse është gëzimi i përligjur i shpresës për republikën e re, i besimit tek e ardhmja që po vjen, që do të marrë rrugë në një ditë të madhe. Ditën e shtunë, ditën e bashkimit më të madh të shqiptarëve, ditën e themelimit të Republikës së re, si realitet i pakthyeshëm për çdo shqiptare e çdo shqiptar. Së shpejti do të mbushen plot 12 javë, 3 muaj qëndresë, tre muaj bashkim, tre muaj ngadhnjim i të mirës mbi të keqen. Për fatin e mirë, Shqipëria ka shpirtin tuaj, qëndresën tuaj, ka vullnetin tuaj, garancinë e vetme për Shqipërinë evropiane. Dita e shtunë, është dita kur ne kurorëzojmë një lëvizje të madhe, që nisi, vazhdon e do të vazhdojë deri në fitoren e kauzës së zgjedhjeve të lira e të ndershme. Kjo kauzë mposhti frikën, ky bashkim i trimëroi e i dha kuroja dhe shpresë qindra, mijëra e miliona shqiptarëve të dëshpëruar nga shteti i falimentuar, nga arroganca e pushtetit, nga krimi e droga me lidhje qeveritare që ju shkatërruan ekonominë, ju shkatërruan mirëqenien, ju shkatërruan sigurinë dhe i zhytën shqiptarët në dëshpërim. E kërkuam rrugëdaljen nga kjo gjendje e rëndë, kudo. Në luftën e përballjen tonë parlamentare, në përpjekjet me çdo faktor të goditur nga qeveria e inkriminuar dhe e korruptuar e Edi Ramës, veç e veç nuk e gjetëm dot. Sepse shpëtimi ishte dhe duhej të ishte në rrugën e bashkimit, që ju i dhatë me fytyrat tuaja, me zërat tuaja dhe shpirtin tuaj më 18 shkurt e tash 83 ditë e 83 netë. Përballë shëmtisë së fytyrave kriminale të banditëve me pushtet. Përballë skërmitjes së pushtetarëve të majmur me gjakun, djersën dhe paratë e shqiptarëve të varfëruar. Përballë trushpëlarjes së mediave të kapura e trysnuara me paratë e taksave të shqiptarëve dhe kërbaçin e bandave të drogës, rrezatoi fytyra e dëlirë evropiane e shqiptarëve të bashkuar, e burrave, e grave që i bashkon vlera më e shenjtë pa të cilën nuk ia vlen të jetohet liria, liria e votës”, tha Basha.
Askush nuk e ndal dot kauzën e opozitën
Opozita do vijojë betejën e saj deri në fitoren e kauzës për zgjedhje të lira. “Ndjejmë mbi supet tona peshën e sfidës dhe përgjegjësisë me të cilën na përball historia në këtë udhëkryq të fundit kombëtar para realizimit të ëndrrës së çdo shqiptari. Të ulim kokën para krimit dhe drogës, të ulim kokën para narkorepublikës dhe të pranojmë fatin ne jo si njerëz të lirë, por si robër, të narkorepublikës, e cila nuk do zgjedhje të lira, por do një Parlament të kapur nga krimi e të diktuar nga droga apo të çohemi e të bashkohemi të gjithë këtu më 13 maj, ditën e shtunë, në një protestë që nuk është vetëm protestë, në një manifestim që nuk është manifestim, në një bashkim që do të ketë një emër e do të hyjë në histori si referendumi për Republikën e re. Kësaj i trembet Republika e vjetër, kësaj i trembet kupola politike e saj, kësaj i trembet krimi dhe droga dhe duhet t’i tremben. Nuk ka forcë kriminale, nuk ka shtet të korruptuar t’i bëjë ballë dëshirës së qytetarëve për liri. Nuk ka luftë dhe betejë më evropiane se beteja për zgjedhje të lira dhe të ndershme. Ju e keni bekuar betejën për zgjedhje të lira me sakrificën tuaj. Në 83 ditë, kjo ka qenë beteja më patriotike, më paqësore dhe më evropiane që ka njohur Evropa në këto vite. I tillë do të jetë dhe bashkimi më i madh i shqiptarëve ditën e shtunë. Kukumjaçkat e Republikës së vjetër, nuk na trembin, nuk na shkurajojnë e nuk na ndalin dot nga kauza evropiane e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme”, tha Basha.
S’ka betejë më evropiane se beteja për zgjedhje të lira
Në ditën e 83 të protestës opozitare të opozitës, Basha tha se në asnjë cep të Evropës nuk luftohet kaq fort për vlerat e demokracisë, duke kujtuar se në rast se nuk do të ishte vota e lirë dhe shteti ligjor, si vlera demokratike sot nuk do të kishte Evropë. Sipas tij, nuk ka luftë dhe betejë më evropiane se beteja për zgjedhje të lira dhe të ndershme, ndërsa protesta e 13 majit do të hyjë në histori si referendumi për përmbysjen e republikës së vjetër. Basha tha se, “kukumjaçkat” e Republikës së vjetër s’mund ta trembin opozitën në kauzën e saj. “Në asnjë cep të kontinentit evropian nuk luftohet aktualisht kaq fuqishëm për vlerat e Evropës se sa në këtë shesh të lirisë. Prej 18 shkurtit e deri më sot, Evropa e vlerave është Evropa e zgjedhjeve të lira. Pa zgjedhje të lira s’kish për të pasur kurrë Evropë. Evropa e vlera është Evropa e shtetit ligjor, e cila nuk ndëshkon të pafajshmin, dhe ngre në pushtet kriminelin dhe trafikantin se po të ndodhte kjo vetëm Evropë nuk do të ishte. Evropa e vlerave është Evropa e demokracisë së vërtetë, jo me votime moniste, por vetëm me zgjedhje konkurruese alternativash të padiktuara nga krimi e droga. E ç’t’jua them unë këto, i dini fare më mirë ju, madje edhe më mirë se ndonjë evropian i dini ju, shqiptarët evropianë. Ndaj beteja jonë, është beteja e drejtë për Shqipërinë, është beteja e drejtë për Evropën, sepse është beteja për vlerat elementare, pa të cilat nuk mund të ketë Evropë e nuk mund të ketë Shqipëri. Ndaj marshojmë të sigurt drejt destinacionit që e pret këtë popull evropian, që është Bashkimi Evropian, bashkimi i vlerave”.
Jo asgjësimit të garës elektorale
Por kreu i Partisë Demokratike nuk harroi të jepte dhe një mesazh për të gjithë miqtë ndërkombëtarë të Shqipërisë. Basha u kujtoi se në asnjë moment rruga e opozitës nuk do të kalojë nga bojkoti, apo braktisja e zgjedhjeve, por s’ka për të kaluar as nga zgjedhjet farsë. Shqipëria, tha Basha, nuk mund t’i rikthehet sërish monizmit dhe diktaturës që e rrëzoi këtu e 27 vjet më parë. Duke i bërë thirrje të gjithë shqiptarëve kudo që janë, Basha iu rikthye dhe një herë manifestimit të 13 majit, kur i ftoi ata të mos mungojnë në këtë moment të historisë.
“Miqtë tanë anembanë botës e dinë dhe duhet ta dinë fare mirë, se rruga evropiane e Shqipërisë nuk mund të kalojë dhe nuk do të kalojë nga bojkoti. Nuk mund të kalojë dhe nuk do të kalojë nga mospjesëmarrja. Por kurrsesi nuk mundet dhe nuk do të kalojë nga asgjësimi i garës së vërtetë. Nuk mundet e nuk do të kalojë nga rikthimi i monizmit 27 vite, pasi e shporrëm me votë njëherë e mirë për të mos e kthyer më kurrë. Nuk mundet e nuk do të kalojë nga votimet farsë të diktuara nga krimi dhe droga. E ardhmja europiane e Shqipërisë do të kalojë nga autostrada referendare e 13 majit që do t’i japë zërin e popullit shqiptar, vulën e popullit shqiptar, qëndresës tuaj për zgjedhje të lira e të ndershme. Të vetmet zgjedhje që do të bëhen në Shqipëri.
Të vetmet zgjedhje që do të bëhen në Shqipëri, ndaj bashkohuni me mua, me familjen time, me fëmijët e mi do të jemi këtu. Ejani me zemrat e mbushura, me besim tek e nesërmja që na pret. Unë e kam parë këtë të nesërme që po vjen, ju po e ndërtoni ditë për ditë të nesërmen e Shqipërisë së shqiptarëve. Bashkë do të shembim çdo pengesë, bashkë do të nxjerrim në pension kupolën politike të Republikës së vjetër dhe këtë të fundit do t’ia dorëzojmë Muzeut Kombëtar në pavijonin e turpit. Ejani pa frikë, ky do të ketë manifestimi më gjigant që shqiptarët kanë organizuar në ekzistencën e tyre si komb. Askush të mos mungojë në këtë moment të historisë, në këtë moment të Shqipërisë, në këtë moment të Europës, që do të vijë e shpalosur me vlerat e saj të vërteta e do të zbresë mes frymës së Zotit dhe bashkimit të shqiptarëve më 13 maj, ditën e shtunë, këtu në këtë shesh. Forca jonë ka qenë kauza e drejtë. Forca jonë ka qenë interesi qytetar, kjo jo vetëm nuk na ka lodhur, por na ka bërë më të fortë, na ka bërë të pamposhtshëm këto 83 ditë.
Me këtë besim tek njëri-tjetri, tek pastërtia dhe dlirësia e synimeve tona, që nuk bëjmë asgjë për pushtetin dhe pasurinë tonë, por bëjmë gjithçka për mirëqenien dhe pushtetin e qytetarëve shqiptarë. Le të bashkohemi vëllezër e motra, të gjithë në shesh, në sheshin e lirisë, ditën e shtunë në orën 12:00. Askush të mos mungojë në festën dhe referendumin e Republikës së re që themelojmë të shtunën”, përfundoi Basha.