Memushaj pranë Bolonjës

Ledian Memushaj është gjithnjë e më pranë Bolonjës. Me rrëzimin e Pescarës në Serinë B, mesfushori i kombëtares shqiptare edhe pse mban në krah shiritin e kapitenit te skuadra abruceze me shumë gjasa, në verë do të largohet nga ekipi i Zdenek Zeman. Bolonja është një nga klubet që interesohet më shumë për Memushajn dhe interesi i klubit kuqeblu në drejtim të lojtarit shqiptar është konkret. Siç raportojnë edhe mediat italiane e diela do të jetë dita vendimtare që mund të përcaktojë të ardhmen e 30-vjeçarit.
Këtë fundjavë në kalendar është në program sfida mes Bolonjës dhe Pescarës, takim i vlefshëm për javën e 36-të të Serisë A dhe me rastin e kësaj sfide drejtuesit e klubit nga “Dall’Ara” do të përfitojnë nga rasti për të biseduar nga afër me presidentin e Pescarës, por edhe me menaxherin e futbollistit të përfaqësueses kuqezi në mënyrë që të arrijnë një marrëveshje për transferimin e kapitenit të Pescarës te Bolonja duke filluar që nga sezoni i ardhshëm. Për kartonin e Memushajt, Bolonja mund të derdhë në arkat e Pescarës rreth 2 milionë euro. Pritet të përfundojë pas 3 sezonesh aventura e mesfushorit shqiptar te klubi abrucez me Memushajn që pritet të bëjë një hap të rëndësishëm në karrierë teksa do të vazhdojë të luajë në Serinë A, nëse arrihet marrëveshja me Bolonjën.

Artikulli paraprak“O sa mirë”! Me fy shqiptarë!
Artikulli tjetërHysaj: Zanetti më frymëzon, Napoli për titull