Sot protesta më e madhe në historinë e Shqipërisë

Sot mbahet protesta e opozitës. Një protestë që siç ka lajmëruar Lulzim Basha do të jetë më e madhja në 27 vitet e fundit, një protestë nga e cila Edi Rama ka ditë që tmerrohet. Në fakt, arsyet janë bërë mal që shqiptarët i madh e i vogël të dalin në këtë protestë të thirrur nga opozita. Eshtë protesta që bëhet kundër gjithë këtij korrupsioni, e pisllëku që ka përfshirë pushtetin dhe po mban peng një vend të tërë. Eshtë protesta për të penguar një regjim që na sjell hijet e të shkuarës që shqiptarët e flakën tutje 27 vjet më parë, jo vetëm me votë të lirë, por dhe kur tërhoqën zvarrë atin shpirtëror të atij që mori pushtetin katër vjet më parë. Eshtë protesta e të gjithë atyre që e ndjejnë veten të shtypur, të përdorur e të përzënë nga vendi i tyre. 13 qershori do të hyjë në histori si dita kur populli i tha jo me forcën e protestës paqësore një regjimi të kalbur që po përze të rinj e të reja, gra e fëmijë nga vendi i tyre.

Lajmërimi

Nga Jugu në Veri njerëzit janë lajmëruar për protestën e të shtunës. Me anë të fletushkave, e derë më derë ata janë thirrur në këtë tubim paqësor. Lulzim Basha dy ditë më parë do e quante si referendumin historik që do i jepte shkelmin republikës së vjetër. Asaj republike që mblodhi rreth saj llumin e shoqërisë, njësoj si 70 e ca vjet më parë, kur diktatori mblodhi rreth vetes kriminelë e hajdutë për të vendosur regjimin më diktatorial në Evropë.  Shqiptarët kanë lajmëruar pjesëmarrjen e tyre, të majtë e të djathtë, sepse nuk pranojnë më që fëmijët e tyre t’i helmohen nga droga që u mboll me bekimin e qeverisë. Shqiptarët kanë pranuar të vijnë, sepse nuk durojnë dot më që vjedhjen tua quajnë sukses, që vdekjen tua quajnë rilindje. Kanë pranuar, sepse nuk duan më që litari i varfërisë të marrë nënat dhe baballarët, sepse s’kanë të paguajnë energjinë, sepse s’kanë të paguajnë faturat, sepse nuk shohin dot motakët e tyre të ngrijnë së ftohti dhe urie, pasi një regjim kriminal i korruptuar dhe i pabesë i ka prerë dhe ato pak të ardhura. Shqiptarët do dalin se nuk durojnë dot më të shohin kriminelët e diktaturës të rimarrin dhe një herë forcën e pushtetit. Shqiptarët do dalin, sepse nuk e durojnë dot nënshtrimin.

Grumbullimi

Grumbullimi do të fillojë pak më herët, diku pranë Sheshit “Skënderbej”. Ata që do të vijnë nga Jugu dhe Veriu grumbullimi në Laprakë ose pranë Zogut të Zi, sipas rastit. Ata që vijnë nga Juglindja, grumbullimin do e kenë tek Sheshi “Filologjik”. Por shumë prejt tyre kanë ardhur në Tiranë që ditën e djeshme, dhe kanë fjetur tek të afërmit. Nga sondazhet e zhvilluara, dhe nga grupet e terrenit të Partisë Demokratike, ka konfirmuar pjesëmarrjen më shumë se 80 për qind e të gjithë atyre që janë kontaktuar, dhe këtu nuk bëhet fjalë për anëtarësinë e PD-së apo të partive aleate. Janë njerëz të të gjitha kategorive, biznesmenë, avokatë, juristë, xhenerikë, hidraulikë të papunë, që do të jenë në shesh të gjithë sot bashkë, për t’i kërkuar Edi Ramës t’i hapë rrugë zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. Për t’i treguar kësaj qeverie se nëse zgjedhjet bëhen pa krimin, paratë e drogës dhe të oligarkëve që fitojnë koncesion pas koncesioneve, pra pa manipulimin e varfërisë siç ndodhi në Dibër, ky pushtet nuk rri asnjë orë në këmbë.  Do jenë aty për t’i treguar se me zgjedhje farsë jo vetëm Edi Rama, por askush s’mund ta mbajë pushtetin. Sot është dita e shqiptarëve… Demokracinë e solli forca e tyre, dhe forca e tyre sot do vërshojë në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” për ta mbrojtur atë.

Artikulli paraprakPasojat e votimeve pa opozitë
Artikulli tjetërSot flet sovrani, nis marshimi i Republikës së re