3 mijë euro një vend pune në arsim, paditet drejtori

Që të fillosh punë në arsim duhet të paguash 3 mijë euro nën dorë. Me ardhjen e “Rilindjes” në pushtet, punësimi me pagesë nën dorë sidomos në arsim u kthye në sistem. Janë publikuar me dhjetëra raste, kur drejtuesit e Drejtorive Arsimore në rrethe merrnin nga 3 deri në 4 mijë euro për një vend pune në arsim, por skandali i radhës ka ndodhur në Ersekë.
Përgjegjësi i Zyrës Arsimore në Ersekë është proceduar penalisht në gjendje të lirë për shpërdorim detyre. Bëhet e ditur se përgjegjësi i Zyrës Arsimore merrte 3 mijë euro për të futur në punë një mësuese. Denoncimi është bërë nga një mësues në një emision investigativ, dhe menjëherë pas publikimit të skandalit, përgjegjësi i Zyrës Arsimore në Ersekë është proceduar penalisht.
Policia thotë se, ndjekja penale ka nisur ndaj 63-vjeçarit me iniciale S.D, pas denoncimit dhe pamjeve të filmuara në një emision investigativ. Sipas policisë, ndaj këtij shtetasi ka bërë kallëzim edhe shtetasi A.J, 57 vjeç, banues në Ersekë, me profesion mësues, pasi dyshohet se shtetasi S.D, ka kryer veprime në kundërshtim me ligjin, duke bërë emërime mësuesish pa ndjekur procedurat standarde. Materialet për hetime të mëtejshme i kaluan Prokurorisë të Rrethit Gjyqësor Korçë për veprën penale: “Shpërdorimi i detyrës”.
Pak ditë më pare, një mësues i diplomuar për frëngjisht tha se, i kanë hequr orët e gjuhës së huaj dhe e kanë emëruar për të dhënë histori, ndërsa një mësuese që nuk di gjuhën frënge jep mësim në një shkollë tjetër brenda juridiksionit të së njëjtës Zyrë Arsimore.
Skandali ka ndodhur në Ersekë, ku mësuesit, i cili është ankuar pranë emisionit investigativ, i kanë hequr orët e mësimit me pretekstin se nxënësit hoqën dorë nga frëngjishtja si lëndë e dytë dhe nuk i gjendet një vend tjetër pune  si mësues frëngjishteje, por i ofrohet punë si mësues historie. Ndërkohë, në një fshat vetëm 500 metra larg shkollës së qytetit, një mësuese, me arsim të mesëm, e cila ka bërë vetëm një kurs frëngjishteje, jep këtë lëndë.
Historia u denoncua në redaksinë e emisionit Fiks Fare nga mësuesi Anesti Jorgji, mësues në gjimnazin “Petro Nini Luarasi”, Ersekë. Mësuesi Jorgji, i diplomuar për frëngjisht, i trajnuar në Francë dhe me disa specializime jashtë vendit, u ankua se padrejtësisht i hiqen orët e mësimin në gjimnaz. Sipas mësuesit, atij i kanë hequr orët e mësimit në klasat 11-të dhe 12-të në gjimnazin “Petro Nini Luarasi”.
Për këtë, ai akuzon Drejtorinë e Arsimit Rajonal në Korçë, pasi e cilëson të padrejtë heqjen e orëve të një mësuesi me arsim përkatës, ndërkohë që një mësuese tjetër pa arsimin përkatës zhvillon orët e frëngjishtes. Ai shprehet se mund të pranojë heqjen e orëve në gjimnaz, por kërkon ta transferojnë me një shkollë tjetër, ku zhvillohet ora e frëngjishtes.
Madje, ai tregon edhe vendin se ku mund ta çojnë. Mësuesi shpjegon se në shkollën “Dy Dëshmorët” në Taç të Ersekës, lëndën e frëngjishtes e realizon një mësuese, e cila nuk ka arsimin e lartë dhe është me arsim të mesëm të orientuar. Duke e cilësuar komplet të padrejtë këtë çështje, mësuesi Anesti Jorgji e ka ngritur si shqetësim pranë institucioneve përkatëse, por nuk ka gjetur një zgjidhje.
Nxënësit e klasave të pesta dhe të gjashta dinë të prezantohen në anglisht, por aspak në frëngjisht, e vetmja fjalë që ata dinë është “Zhë ma pel”. Gjatë intervistës me nxënësit, një prej fëmijëve shprehet se edhe mësuesja e gjuhës frënge nuk di të flasë mirë.
Drejtori i shkollës 9-vjeçare “Dy Dëshmorët” tha se, është në dijeni që mësuesja është me shkollë të mesme, por nuk mund ta largojë tanimë, pasi është mesi i vitit shkollor. Ai shprehet se mësueses i janë ngarkuar dhe orët e lëndës së historisë dhe muzikës dhe kjo është një arsye tjetër që nuk mund ta largojë.

Artikulli paraprak764 milionë lekë vjedhje, KLSH padit kryebashkiakun e Himarës
Artikulli tjetërRama në panik ja mbath sërish drejt Italisë