Juventusi dhe Real Madridi nuk do të kenë mundësinë të veshin të dyja fanellat e para në finalen e Ligës së Kampioneve. Një fanellë bardhezi kundër një fanellë të bardhë do të krijonte shumë probleme si për gjyqtarin, ashtu edhe për teleshikuesit.
Mediat spanjolle bëjnë të ditur se UEFA ka marrë një vendim rreth kësaj çështjeje, duke i besuar Juventusit, si pritës pas shortit të hedhur që kur u përcaktuan gjysmëfinalet, fanellën e parë. Me pak fjalë, italianët do të zbresin në fushë në stadiumin e Kardif me ngjyrat tradicionale bardhezi.
Për tifozët e Juventusit, ky ndoshta nuk është lajm i mirë. Tre finalet e fundit që skuadra italiane ka humbur, kanë qenë të gjitha me këtë fanellë (1998, 2003 dhe 2015). Suksesi i fundit në Ligën e Kampioneve, ndaj Ajaksit, erdhi ndërsa mbanin veshur fanellën blu me yjet e verdhë në shpatulla, por me këtë fanellë u humb një vit më vonë finalja ndaj Borusia Dortmundit.
Nga ana tjetër, Real Madrid do të luajë me fanellën ngjyrë vjollcë, për marketing, dhe jo me atë të zezën që veshi pak ditë më parë ndaj Atletikos. Për ta, duhet parë nëse funksionon kjo strategji, pasi dy finalet e fundit i ka fituar duke luajtur me të bardhën tradicionale.