Numri i bizneseve pasive, të cilat kanë pezulluar aktivitetin tejkaloi për herë të parë atë të ndërmarrjeve aktive. Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve përditësoi listën e bizneseve të mbyllura në status pasiv. Sipas listës rezulton se, në Shqipëri aktualisht janë rreth 106 mijë biznese, të cilat kanë ulur qepenin, duke pezulluar aktivitetin e tyre.
Kjo shifër është më e madhe se sa numri total i bizneseve, që janë aktive. Sipas anketës së ndërmarrjeve, që publikon Instituti i Statistikave, në fund të vitit të kaluar Shqipëria numëronte në total 104 mijë biznese aktive ose 2 mijë ndërmarrje më pak se sa ndërmarrjet pasive. Kjo do të thotë se, Shqipëria ka aktualisht më shumë biznese të vdekura se sa biznese që kryejnë aktivitet ekonomik, shkruan Syri.net.
Dokumentet zyrtarë të publikuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve tregojnë, se vetëm në harkun kohor të një viti, janë mbyllur mbi 15 mijë ndërmarrje, të cilat kanë kaluar në status pasiv.
Lista e bizneseve pasive nisi të publikohej për herë të parë në maj të vitit të kaluar. Në atë kohë, Tatimet deklaruan se në Shqipëri rezultonin në total 91 mijë biznese me status pasiv, të cilat ishin akumuluar që nga viti 1992.
Kriza, represioni tatimor
Bizneset ankohen se përballen me rënie të shitjeve për shkak të krizës që ka ulur konsumin e popullatës. Por gjendja financiare e biznesit veç situatës së shtrënguar ekonomike, gjatë 4 viteve të fundit është goditur rëndë edhe nga politika fiskale, në të gjitha nivelet.
Në tre vitet e fundit, biznesi në Shqipëri është përballur me rritje taksash nga të gjitha anët. Fillimisht ishte qeveria, e cila ndërmori dy rritje taksash rresht në vitet 2015-2017 me nga 200 milionë dollarë secila.
Por veç qeverisë, barra fiskale është rënduar edhe nga taksat lokale. Vitin e kaluar, veçanërisht në Tiranë taksat lokale u rritën ndjeshëm duke goditur më fort bizneset e vogla familjare. Për disa taksa apo tarifa të caktuara, si ajo e pastrimit, barra u rrit deri në tre herë, duke çuar shumë subjekte në mbyllje të përkohshme dhe të tjera drejt mbylljes së plotë.
Masat represive
Përgjatë kësaj kohe, autoritetet fiskale kanë rritur edhe masat represive. Në vitin 2015, qeveria nisi një aksion kundër informalitetit, që u karakterizua nga një agresivitet shumë i lartë i tatimorëve dhe strukturave të tjera shtetërore. Verën e vitit të kaluar, aksioni kulmoi me një valë gjobash, të cilat kanë rezultuar fatale për shumë biznese, duke i detyruar të mbyllen.
Një tjetër faktor që ka goditur biznesin e vogël, është dhe monopolizimi i ekonomisë. Shumica e bizneseve familjare operojnë në sektorin e tregtisë me pakicë. Por vitet e fundit një pjesë e madhe e aktivitetit ekonomik është përqendruar në Qendrat Tregtare, të cilat zotërohen nga një grusht korporatash të mëdha. Kjo ka sjellë rënien e shitjeve për shumë biznese të vogla, duke i detyruar ato të falimentojnë.