Në momentin e tij më të mirë te Real Madrid mund të vendosë t’i japë lamtumirën Realit. James Rodriguez nuk ndihet komod në “Santiago Bernabeu” dhe ky është një detaj që mund të bëjë diferencën në merkaton e verës. Kolumbiani po bën gati valixhet me destinacion Manchesterin, ku Jose Mourihno e pret për t’i dorëzuar çelësat e mesfushës së “Djajve të kuq”. Kolumbiani i prezantuar 3 vjet më parë te “Los Blancos” ka rezultuar vendimtar në pjesën e dytë të këtij sezoni duke i dhuruar trajnerit Zidane një alternativë të vlefshme dhe disa gola jetikë, por në Kolumbi besojnë se ai nuk synon të vazhdojë rrugëtimin me fanellën e bardhë.
Agjenti i tij, Jorge Mendez ia ka premtuar Jose Mourinhos talentin nga toka e kafesë duke planifikuar një operacion të ngjashëm me atë të transferimit të Di Marias në “Old Trafford”. Gjithçka mund të finalizohet më 23 korrik kur të dyja skuadrat të ndeshen në një miqësore në Santa Clara për turneun “International Champions Cup”.
Rrugëtimi i James te Reali nisi nën drejtimin e Rafa Benitez, por që prej asaj periudhe ka kaluar një kohë e gjatë dhe mesfushori i talentuar është aktivizuar vetëm në 23% të ndeshjeve të Realit, çka ka ndikuar në vendimin që ai ka marrë për t’i dhënë lamtumirën Realit. Një largim ndoshta i paralajmëruar, ashtu si edhe ai i Moratës e Pepe-s. Sulmuesi i lindur në Madrid ka pothuajse të njëjtin problem me James, mosaktivizimin titullar në ndeshjet më të rëndësishme të Realit, ndërsa Pepe vuan kalimin e viteve, çka ka bërë që Florentino Perez të mos pranojë rinovimin e kontratës duke bërë që portugezi të largohet në fund të sezonit me parametra zero.