Moxhi: “Galiani kishte frikë nga unë”

Në ditën që iu desh t’u përgjigjej sulmeve që i erdhën prej aksionerëve të vegjël të Milanit, Adriano Galiani ka marrë edhe një goditje të dytë, e cila ishte shumë herë më e rëndë se ajo e para. Ish-drejtori i përgjithshëm i Juventusit, Luçiano Moxhi, gjatë një prononcimi për emisionin “La Zanzara”, në “Radio 24”, si kurrë më parë akuzoi rëndë administratorin e deleguar të Milanit, duke e konsideruar si fajtorin kryesor të publikimit të përgjimeve që çuan te “Calciopoli”. “Një ditë u shkëmbeva në rrugët e Milanos me Silvio Berluskonin. Ai m’u afrua dhe më tha që ta takoja në pallatin ‘Grazioli’ në Romë. Unë si fshatar i mirë që jam nuk e di nëse adresa në fjalë ishte e shtëpisë së tij apo qendra e partisë që drejton.
Shkova e takova dhe më tha se ekzistonin disa përgjime të telefonatave të mia dhe se përmbajtja e tyre nuk do të kishte pasoja penale në dëmin tim. Ai më tha se në dijeni të atyre dokumenteve ishin presidenti i Ligës, Galiani, presidenti i Federatës Italiane të Futbollit, Karraro dhe një gjeneral.
Berluskoni më telefonoi për të më afruar te Milani. Në atë pikë, Adriano Galiani, i cili nuk donte që diçka e tillë të ndodhte, bëri që të shpërthente skandali që sot njihet si ‘Calciopoli’. Që prej atij momenti u publikuan të gjithë përgjimet për të cilat më foli Berluskoni. Galiani e bëri këtë, pasi i druhej vendit të punës”, ishte “dëshmia” e Luçiano Moxhit.
Ish-drejtuesi i Juventusit, Luçiano Moxhi, ka analizuar edhe ndryshimet e shpeshta të Milanit në stol. Gjatë prononcimit të shkurtër për “Radio Sportiva”-n, ai komentoi me nota kritike politikat e ndjekura nga “Djalli” së fundmi:
“Unë e kam thënë prej kohësh se, Berluskoni më mirë se të ndryshojë çdo sezon trajnerin e skuadrës, duhet të ndryshojë organikën e ekipit. Milani nuk ka cilësi dhe problemet vijnë nga strategjia e gabuar që kanë ndjekur drejtuesit gjatë merkatos”.
Më tej ai shtoi: “Në vitet e fundit kanë sakrifikuar Alegrin, Sedorfin, Inzagin, Mihajloviçin dhe tani është radha e Brokit, mirëpo, siç e thashë, problemi i kuqezinjve nuk vjen nga stoli, por skuadra çalon diku tjetër”.
Në fund, ai u pyet për kandidaturën e Marçelo Lipit. “Nuk do të ishte një zgjedhje e gabuar. Marçelo është një trajner fitues dhe ka shumë disiplinë, e shikoj mirë në stolin e Milanit. Kinezët? Mendoj se ka ardhur koha për të ndryshuar, skuadra ka nevojë për investime”, tha kreu i triadës famëkeqe që drejtoi “Zonjën” për shumë vite.

Artikulli paraprakBetis, i rrezikshëm!
Artikulli tjetërThellohet rënia e Sigurimeve për Jetën