Prokuroria e Shkodrës ka përfunduar hetimet dhe dërgon për gjykim ish-drejtuesin e Hipotekës së Shkodrës, Neritan Kalamishi si dhe një ish-jurist në këtë institucion, Marvin Ramovi, të akuzuar për “Shpërdorim detyre” në bashkëpunim, si edhe shtetasin Vatë Lari, i akuzuar për “Falsifikim të dokumentave” pronësorë dhe “Pastrim të produkteve të veprës penale”. Në bazë të hetimit të Prokurorisë së Shkodrës, rezulton se ish-kryeregjistruesi Kalamishi dhe juristi Ramovi, kanë regjistruar në mënyrë të kundërligjshme pronën me sipërfaqe 23 mijë metra katrorë në Velipojë, e cila ishte përfituar në bazë të dokumentave të falsifikuar nga ana e shtetasit Vatë Lari.
Të pandehurit janë hetuar në gjendje të lirë, ndërkohë që pak javë më parë, me kërkesë të Prokurorisë së Shkodrës, Gjykata ka vendosur nën sekuestro sipërfaqen objekt hetimi prej 23 mijë metra katrorë, e cila gjendet në fshatin Baks-Rrjoll, Velipojë. Sipas të dhënave hetimore, rezulton se Hipoteka ka regjistruar pasurinë me sipërfaqe 23 000 m2, lloji i pasurisë Arë, datë regjistrimi 18.09.2013. Në dosje ndodhet shkresa e Komunës Velipojë, datë 04.11.2008 pa numër protokolli, ku është dërguar në emër të shtetasit Vatë Kol Marashi. Po ashtu, në dosje gjendet ndër të tjera, vërtetimi i Komunës Velipojë datë 18.09.2013 ku thuhet se shtetasi Vatë Gjelosh Lari është i njëjti person me Vate Kol Marashi. Lidhur me këtë procedim është pyetur shtetasi Nikoll Marku me detyrën e kryetarit të Komunës Velipojë dhe shtetasi Marash Keqi, punonjësi i zyrës së bujqësisë, të cilët ndër të tjera ka deklaruar se nuk kanë nënshkruar në atë shkresë që i është përcjellë Zyrës së Regjistrimit për të përcjellë dokumentacionin për regjistrim në emër të shtetasit Vat Kol Marashi.
Për këtë arsye, është kryer ekspertim grafik shkrimi lidhur me nënshkrimin e tyre tek shkresa përcjellëse e Komunës Velipojë dhe nga akti i ekspertimit grafik shkrimi datë 14.11.2016 ka rezultuar se nuk janë shkruar nga shtetasit Nikoll Marku me cilësinë e kryetarit të Komunës Velipojë, dhe Marash Keqi. Në bazë të hetimit, Prokuroria e Shkodrës ka konkluduar se ish-regjistruesi Neritan Kalamishi, ish-juristi Marvin Ramovi dhe shtetasi Vatë Lari duhet të gjykohen për veprat për të cilat akuzohen.