Klinton krijon një organizatë politike kundër Trump

Ish-kandidatja për presidente të SHBA-së, Hillary Klinton, nisi një organizatë të re politike, me synimin për të nxitur shtetasit amerikanë të përfshihen në politikë dhe të mbështesin grupet që kundërshtojnë administratën Trump.
Me organizatën “Së bashku përpara”, Klinton kthehet në arenën politike, pas humbjes nga republikani Donald Trump në zgjedhjet e nëntorit.
“Muajt e fundit, kam reflektuar, kam kaluar kohë me familjen dhe po, kam ecur nëpër pyje”, tha Klinton, 69 vjeçe.
“Më shumë se kurrë, besoj se angazhimi i qytetarëve është jetik për demokracinë tonë. Jam e frymëzuar nga të gjithë ata që ngrihen për të organizuar dhe udhëhequr”, tha Klinton në një seri të postimeve në Twitter.
“Këtë vit nuk ka ndodhur ajo që kam parashikuar, por e di se për çfarë vazhdoj të luftoj: Një Amerikë më të mirë, me zemër më të madhe, më gjithëpërfshirëse. Përpara”, shkroi Klinton.
Ajo përmendi pesë grupe me prirje majtiste që do t’i mbështesë lëvizja e re.
Zëdhënësi i Komitetit Kombëtar Republikan, Michael Ahrens, e kritikoi lëvizjen e Klintonit.
“Nëse demokratët do të ishin të zgjuar, do ta kuptonin se është kohë për të lëvizur përpara pa Hillary Klintonin”, tha ai.

Artikulli paraprakMicrosoft kritikon shërbimin sekret NSA
Artikulli tjetërInformacionet sekrete të Trump dhe sulmi në mediat Fake News