Gjendet në Dajt një kufomë e djegur, policia fshehu ngjarjen

Trupi i pajetë i një personi është gjetur të hënën në një zonë të pyllëzuar në malin e Dajtit. Ka qenë një bari i zonës që ka gjetur trupin e djegur, i cili ka njoftuar menjëherë policinë. Sipas burimeve, viktima ishte djegur plotësisht dhe i kanë mbetur vetëm gjymtyrët e poshtme. Trupi i këtij personi ka rreth një javë që ndodhet në atë zonë, por është pikasur të hënën rastësisht nga një bari, ndërsa policia e mbajti të fshehtë ngjarjen për më shumë se 24 orë.
Dyshohet se personin ende të paidentifikuar ta kenë vrarë me armë zjarri dhe më pas ta kenë djegur. Ndërsa hetimet për identifikimin e kufomës dhe zbardhjen e rrethanave të kësaj ngjarje vijojnë me intensitet, edhe Policia e Tiranës sqaroi dje me anë të një deklarate se si ishin informuar për kufomën e gjetur. Sipas informacioneve të para të policisë, më datë 15.05.2017, në numrin e emergjencave 112, ka ardhur një telefonatë nga një shtetas (bari), se në fshatin Kodër Shupal, ka gjetur një kufomë të dekompozuar. Menjëherë në vendin e ngjarjes, ka mbërritur grupi hetimor ku ka konstatuar skeletin e dekompozuar.

Krimi i rëndë u mbajt i fshehur nga policia

Policia e Shtetit ka mbajtur të fshehtë në komunikatën e saj zyrtare, gjetjen në malin e Dajtit të trupit të një personi që dyshohet se është vrarë dhe më pas është djegur. Në njoftimet e ditës së djeshme të policisë figuronin disa ngjarje ordinere, por jo rasti i rëndë i një ekzekutimi në malin e Dajtit. Ndonëse efektivët e policisë kanë shkuar në vendngjarje mëngjesin e datës 15 maj, kjo ngjarje nuk u raportua as nga Policia e Tiranës dhe as nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë.
Mungesa e transparencës dhe selektiviteti i raportimit të ngjarjeve, po shndërrohet në metodë pune të policisë. Kjo e fundit po e kupton detyrimin për informim si një agjensi marketingu, ku reklamohen vetëm sukseset dhe ndonjë informacion i parëndësishëm, si arrestimet për ndërtime të paligjshme apo kapjet e 0.3 gramë kanabis.
Nën shembullin politik të qeverisë, edhe policia ka nisur të filmojë, të montojë e të propagandojë punën e saj, dhe jo të bëjë transparencë për të gjitha ngjarjet që lidhen me punën e saj. Rasti i viktimës në Dajt, ishte shembulli më i fundit në këtë drejtim. Policia foli për këtë ngjarje vetëm, pasi disa media zbuluan se çfarë kishte ndodhur.

Artikulli paraprakGrabitja e tokës në Theth, dërgohen për gjykim 3 zyrtarët
Artikulli tjetërFurgoni me 2 kuintalë drogë nga Shqipëria kapet në Greqi