Zvicra “rrëmben” Albian Ajetin

Albian Ajeti po kalon momentin më të mirë të karrierës së tij. Sulmuesi 20-vjeçar që luan te St.Gallen pas huazimit nga Augsburg, po kalon një periudhë të shkëlqyer në kampionatin zvicerian, duke shënuar 10 gola në 20 ndeshje dhe po ndiqet me interes të veçantë nga Bazeli, skuadër tek e cila u formua dhe u largua si lojtar i lirë në vitin 2016. Tashmë e ardhmja e lojtarit varet nga St. Gallen, që pagoi një milionë euro te Augsburg, duke e blerë përfundimisht kartonin e sulmuesit.
Forma e shkëlqyer e Albian Ajetit nuk ka kaluar pa u vënë re dhe nga trajneri i kombëtares së Zvicrës, Vladimir Petkoviç, i cili i ka rezervuar një vend në listën prej 23 lojtarësh për dy ndeshjet e rradhës, miqësores ndaj Bjellorusisë më 1 qershor dhe ndeshjes kualifikuese ndaj Ishujve Faroe më 10 qershor.
Për shërbimet e sulmuesit, që është vëllai i vogël i mbrojtësit kuqezi Arlind Ajeti, pak kohë më parë u interesua dhe Federata Shqiptare e Futbollit, por sipas trajnerit, Albian Ajeti ende nuk ishte i gatshëm për të qenë pjesë e Shqipërisë.

Artikulli paraprakMonaco dominon çmimet e më të mirëve në futboll
Artikulli tjetërSadiku transferohet te Liga e Kampionëve