Një makinë me lëndë narkotike që vinte nga kufiri shqiptar është ndaluar në Janinë. Mësohet se pas ndjekjes nga policia, makina është kapur në Metsovo. Pasi ka ndaluar mjetin, drejtuesi i saj e braktisi atë dhe u largua me vrap, duke lënë pas 2 çanta me 26 pako që përmbanin 43 kg 380 gr marijuanë. Sakaq, nga hetimet e policisë greke, mjeti rezulton i vjedhur në Greqi. Ndërkohë, policia ka shpallur në kërkim shoferin shqiptar, rreth 35 vjeç, ndërsa po punohet për kapjen e tij.
Njësia Antidrogë e Athinës ka arrestuar dy shtetas shqiptarë, që akuzohen për trafik droge. Edhe pse mosha e të arrestuarve është e njëjtë, 38 vjeç, ata janë arrestuar në dy operacione të ndryshme. Shtetasi i parë u arrestua, pasi më parë ishte vënë nën mbikëqyrje, i dyshuar si trafikant droge. Në mjetin e tij, policia gjeti një sasi kokaine me peshë 2 kilogramë e 15 gramë.
Nga verifikimi rezultoi se 38-vjeçari ishte dënuar dy herë në mungesë për çështje droge dhe se ndaj tij ishin nxjerrë dy urdhera arresti. Një tjetër shtetas shqiptar u arrestua afër qendrës së Athinës dhe akuzohet për trafik droge dhe armëmbajtje pa leje. Në banesën e tij, policia gjeti dhe sekuestroi 1,3 kg kokainë, një armë zjarri të tipit pistoletë dhe 38 fishekë, si dhe dy peshore precizioni.