Ekspertiza mjeko-ligjore ka bërë paraprakisht një përfundimin për shkakun e vdekjes së 16-vjeçares Blerta Pepa në spitalin privat Continental në Tiranë. Ekspertët kanë arritur në përfundimin se, shkak për humbjen e jetës është bërë “hipertermia malinje”, një komplikacion i shfaqur gjatë operacionit.
Gjithashtu, ekspertiza bën të ditur se gjatë ndërhyrjes kirurgjikale është përdorur edhe ilaçi “Dantrolen”. Pavarësisht përdorimit të këtij ilaçi, artistja e re nuk ka mundur t’i mbijetojë komplikacionit shëndetësor, duke ndërruar jetë pak orë pas operacionit. Ndërkohë Policia e Tiranës ia ka dorëzuar Prokurorisë çështjen e vdekjes së 16-vjeçares. Policia ka ngritur akuzën për “mjekim të pakujdesshëm për 2 mjekët e huaj dhe anestezistin shqiptar.
Burime të lapsi.al thanë se kallëzimi është bërë për mjekun gjerman Meibus Ulf, grekun Jovan Kosta dhe mjekun reanimator Tefik Zhurda. Burimet në polici thanë se, anestezisti ndodhet ende në gjendje të rëndë për jetën, pasi tentoi vetëvrasjen, duke injektuar në trup sasi të lartë anestezie.
Policia e Tiranës çoi në Prokurori për ndjekje penale 4 mjekë të spitalit privat, ku humbi jetën një vajzë 16-vjeçare pas një operacioni në gju. Sipas Prokurorisë, mjeku Jovan Kosta, shtetasi gjerman Meibut Ulf, Dr.Mirel Idrizi dhe anestezisti Tefik Zhurda do të hetohen për akuzën e mjekimit të pakujdesshëm, duke çuar në humbjen e jetës së pacientes Blerta Pepa. Prokuroria nisi hetimet, pasi sekuestroi kartelën e pacientes që humbi jetën në spital. Policia e Tiranës tha se mjeku anestezist, Tefik Zhurda ndodhet në gjendje të rëndë, pasi tentoi vetëvrasjen, pasi konstatoi vdekjen e pacientes.
Ndërkohë, në një reagim pas kësaj ngjarjeje, spitali privat ku humbi jetën Blerta Pepa sqaroi se, vdekja erdhi si pasojë e një komplikacioni të rrallë që quhet “hipotermia malinje” dhe jo prej mbidozës së anestezisë apo ndonjë gabimi njerëzor. Spitali shpjegon se, “hipotermia malinje” është një nga komplikacionet më të rënda dhe shumë të rralla që ndodh gjatë anestezisë”. Ministria e Shëndetësisë bën të ditur se, në pritje të përfundimit të hetimeve dhe daljes së rezultateve të ekspertizës mjeko-ligjore, ka ngritur grupin e punës dhe do të marrë masat e duhura për këtë ngjarje të rëndë.
I jepet lamtumira 16-vjeçares
Familjarë, të afërm, miq i kanë dhënë sot lamtumirën e fundit 16-vjeçares, e cila humbi jetën ditën e djeshme pas një komplikacioni me anestezinë. Mes lotëve, dhimbjes, ata janë përshëndetur për herë të fundit me 16-vjeçaren, e cila u nda nga kjo jetë para kohe. Dhimbja e familjarëve nga humbja e papritur e fëmijës së vogël të shtëpisë është shoqëruar dhe me akuza për spitalin privat, i cili kreu dhe operacionin për përmirësimin e ligamentit dhe miniskut të gjurit të artistes së vogël, Blerta Pepa.
Kjo e ndikuar dhe nga fakti se edhe vëllai i dytë i familjes, vëllai i Blertës, kishte pasur eksperiencë të ngjashme për problemet e gjurit, por fatmirësisht nuk ka pasur problemet me anestezinë. Lamtumirë Blerta Pepa!