Madrilenët më pranë titullit

Reali i Madridit kalon edhe pengesën e parafundit për t’u afruar gjithnjë e më shumë me titullin e 33-të në historinë e klubit. Në Balaidos, Los Blancos triumfuan me shifrat e thella 1-4 përballë Celta Vigos dhe tashmë skuadrës së Zidane do t’i mjaftonte një pikë në sfidën e fundit ndaj Malagas ose një hap fals i Barcelonës, për të fituar titullin kampion në La Liga, që i mungon që nga viti 2012-të. Cristiano Ronaldo me një dygolësh, Karim Benzema dhe Toni Kroos ishin ata që vulosën suksesin e Realit që tashmë ka nisur të mendojë për finalen e Championsit ndaj Juventusit.
Në ndeshjen e prapambetur të javës së 21-të, madrilenët morën një trepikësh që i ngjiti në kuotën e 90 të tillave. Miqve u mjaftuan vetëm 10 minuta për të zhbllokuar shifrat në transfertën e Vigos me Cristianon që i shërbyer nga Isco shënoi një gol të bukur për epërsinë e Realit. Në fillimin e pjesës së dytë ishte sërish portugezi ai që ia bëri më të thjeshta gjërat skuadrës së Zidane duke finalizuar me sukses një kundërsulm të shpejtë. Në të 62-tën Iago Aspas la Celtën me një lojtar më pak, por John Guidetti pak minuta më vonë rihapi sfidën me golin e 1-2. Kundërpërgjigjja e Los Blancos nuk mungoi me Benzema-në që e mbylli sërish atë, ndërsa në të 88-tën, Kross i asistuar nga francezi shënoi edhe një tjetër gol duke fiksuar shifrat përfundimtare në 1-4.

Artikulli paraprakRonaldo paralajmëron Juven
Artikulli tjetërUnited, De Gea humbet finalen e Europa League