“Rilindja” e Milanit!

Prezenca në Europa Ligë, afrimi i futbollistëve seriozë dhe emrat e mëdhenj kanë bërë që Milani të ketë në mendje një formacion për sezonin e ardhshëm. Viçenco Montela nuk ka ndër mend ta ndryshojë skemën dhe ekipi do të zbresë në fushën e lojës me modulin 4-3-3.
Nëse nuk ndodh ndonjë çmenduri gjatë verës, në portë do të vazhdojë të qëndrojë Xhanluixhi Donaruma, ndërsa mbrojtja do të ketë dy ndryshime. Rikardo Rodrigez do të luajë në krahun e majtë të mbrojtjes për të zënë vendin e De Shiljos, ndërkohë që Milani do të vazhdojë të insistojë për të afruar një qendërmbrojtës, i cili me shumë gjasë do të jetë Muzakio.
Në mesfushë do të jetë pa diskutim titullar Kesi, i cili përflitet se ka arritur akordin me kuqezinjtë bashkë me Montolivon dhe Bonaventurën. I pari, mund të alternohet me Lokatelin, por edhe ndonjë element tjetër që do të ketë Milani në organikë.
Montela kërkon të tregohet i kujdesshëm për të pasur edhe futbollistë me eksperiencë në ekip. Në repartin e sulmit gjithashtu do të ketë 2 lojtarë të rinj. Ëndrra e madhe quhet Alvaro Morata, sepse aventura e tij në Madrid duket se ka përfunduar. Spanjolli nuk ka ndër mend të qëndrojë si lojtar rezervë te Reali, por do të nisë një aventurë të re dhe kuqezinjtë kanë nisur kontaktet me menaxherin e futbollistit.
Në krahët e tij do të jenë Suso dhe një tjetër objektiv: Keita Balde. Për këtë të fundit, Juventusi ka shfaqur interes për ta blerë, por duket se raportet pozitive që ka Lotito me Fasonen mund të ndikojnë për t’i ndryshuar destinacionin sulmuesit bardhekaltër.

Artikulli paraprakDirk Kajt largohet nga futbolli i luajtur
Artikulli tjetërFinalja e Championsit, Juventus gjen një “aleat” të ri