Interi hap “thesin”

Mesa duket zikaltërit e kanë të qartë, që për të krijuar një grup fitues, duhen futbollistë me personalitet dhe janë duke planifikuar lojtarë të tillë. Mbrojtësi portugez i Real Madridit duket se është njëri prej tyre, pasi drejtuesit e Interit janë pranë marrëveshjes dyvjeçare me të. Ndonëse 34-vjeçar, Pepe shikohet si një futbollist me mentalitet fituesi, që do t’i japë grintë dhe eksperiencë ekipit, njësoj si braziliani Lucio, në Interin e Murinjos.
Zikaltërit po punojnë me menaxherin Jorge Mendes, jo vetëm për transferimin e Pepes, por edhe të një tjetër ish-madrileni. Bëhet fjalë për mesfushorin argjentinas të Paris SG, Angel di Maria. 29-vjeçari luan prej dy vitesh në kryeqytetin francez dhe ka një kontratë edhe për dy vitet e ardhshme, por duket gati për një tjetër eksperiencë larg Ligue 1. Javier Zaneti duket se është një nga njerëzit kyç, që po ndikon në realizimin e kësaj marrëveshjeje, që do të rindizte entuziazmin në shtëpinë zikaltër.
Shumë ekspertë të futbollit italian kanë ditë që thonë se Interit i nevojiten disa lojtarë me personalitet dhe këto biseda duket se nuk u kanë shpëtuar pronarëve të ri zikaltër. Të paktën duke gjykuar nga thashethemet e merkatos, drejtuesit zikaltër janë vënë në gjurmët e disa lojtarëve, që konsiderohen ndër më të mirët në Europë.
Interi ka si qëllim të ndryshojë komplet strategji në krahasim me të shkuarën, ku do të kërkohen jo vetëm të rinj premtues, por edhe lojtarë të mëdhenj që do ta rrisin ndjeshëm cilësinë e skuadrës. Lëvizjen e parë zikaltërit e kanë bërë duke parë se tashmë e kanë arritur marrëveshjen me mbrojtësin 34-vjeçar të Realit të Madridit, Pepe, i cili do t’u bashkohet zikaltërve pas përfundimit të këtij sezoni, kur të jetë një lojtar pa kontratë.
Duket se Auzilio nuk ka qenë në Paris vetëm për të folur rreth shitjes së Perisiç, por edhe për të tentuar ndonjë goditje në fshehtësi. Duket se ky udhëtim i ka dhënë frytet e tij, pasi Interi është shumë pranë blerjes së Angel di Marias. Ylli argjentinas është një hap larg zikaltërve dhe kjo vetëm falë agjentit të tij, Horge Mendez, i cili jo vetëm (pothuajse) ka mbyllur transferimin e Pepes në Milano, por ka avancuar edhe bisedimet e një transferimi të mundshëm të Di Marias te zikaltërit.
Kontaktet për fantazistin argjentinas duket se kanë filluar prej kohësh me Zanetin, që ka luajtur një rol të ngjashëm si në rastin e afrimit të Banegës tek Interi. Ajo çfarë ngelet për t’u parë është nëse në këtë marrëveshje do të përfshihet edhe Ivan Perisiç, ose nëse do të jetë një marrëveshje që do të mbyllet me para kesh.
Di Maria është gati t’i bashkohet Serisë A, duke veshur fanellën zikaltër. Argjentinasi pritet të nisë një eksperiencë të re, pas katër vitesh në La Liga (Real Madrid), një në Premier Ligë (Mançester Junajtid) dhe dy viteve në Ligën 1 (PSG).

Artikulli paraprakMonako nuk do shesë “xhevahirët” në verë
Artikulli tjetërAusilio, i sulmon të gjithë te Interi