Ushtria i ka vënë minat “Sofrës së Skëndërbeut”, një monument kulture që ndodhet në Pishkash të Librazhdit. Denoncimi është bërë nga ish-Kryeministri Berisha, pas një mesazhi të dërguar në adresë të tij, nga një banor i zonës. Sipas mesazhit që publikoi ish-Kryeministri, shembja e këtij monumenti bëhet, pasi paraqet rrezik. Ai shkruan se qëllimi i shembjes është i dyshimtë.
“Në Librazhd, Ushtria i vë minat monumentit mahnitës dhe historik, “Sofrës së Skënderbeut!”. Ja mesazhi, fotot dhe video e kësaj barbarie që ka dërguar qytetari dixhital!”, shkruan Berisha në Facebook.
“Shumë ju falenderoj për kohën! Kam disa ditë që më shqetëson shembja e një Monumenti Kulture dhe monument historik, i cili quhet “Sofra e Skënderbeut”, në Pishkashin Verior-Librazhd. Shembja, ose masakrimi që po i bëhet kësaj dhurate të naturës, bëhet se gjoja “janë në rrezik” disa familje që janë poshtë tij, gjë që nuk është e vërtetë dhe që nuk paraqet ndonjë rrezik, por qëllimi se pse po e sakatojnë është i dyshimtë. Komunistët mund të kenë marrë fonde dhe mund t’i vjedhin, duke justifikuar shembjen e pjesshme të monumentit. E vërteta është se në pjesën ballore të tij është shembur një masiv shkëmbor prej afro tre metra kub gurë, në një lartësi afro tre m2. Nga toka dhe asnjë gurë nuk ka ikur poshtë. Kjo shembje ka ndodhur para rreth 15 vitesh, mirëpo paraqitet sikur është shembur nga lëkundjet e tërmetit të para disa muajve, gjë që s’është e vërtetë. Unë jam prej atij fshati, por banoi në Librazhd, para pak ditësh vajta vetë atje dhe nuk pashë ndonjë shqetësim sa guri të masakrohet me tritol. Mendoj që duhen dërguar ndonjë grup gazetarësh që mund të mendoni edhe Ju. Më vjen keq që edhe gazetarë që ne kemi patur besim, e kanë paraqitur gjendjen alarmante, nëpërmjet TV “BEST”, shkruan qytetari.