Një grabitje me dhunë ka ndodhur në mes të qytetit të Vlorës. Ngjarja është bërë publike nga policia sipas të cilëve grabitja ka ndodhur mbrëmjen e djeshme. Një 63-vjeçar nga Vlora pretendon se tre persona i kanë marrë një sasi parash. Pranë ambienteve të policisë është paraqitur 63-vjeçari me inicialet A. S., banues në Vlorë.
Ky i fundit ka deklaruar se rreth orës 19:10 (dje), në lagjen “10 Korriku”, duke ecur në rrugën kryesore, i kanë dalë para 3 persona, të cilët nën ushtrimin e forcës i kanë marrë 25.000 lekë të rinj, 300 euro, 3 aparatë celular dhe më pas janë larguar me shpejtësi me ndihmën e një automjeti të llojit “Benz”.
Nga veprimet e shpejta hetimore, policia ka bërë të mundur identifikimin e njërit prej bashkëpunëtorëve shtetasin G. Gj. (Për arsye hetimore nuk mund të bëjmë publike gjeneralitetet e plota). Po punohet për zbulimin dhe kapjen e autorëve të përfshirë në këtë ngjarje. Materialet iu referuan Prokurorisë për veprën penale “Vjedhja me dhunë, e kryer në bashkëpunim”.