Zëvendësdrejtori i rremë i ALUIZNI-t, në gjyq

Prokuroria e Tiranës ka dërguar në gjyq Artan Laçin i akuzuar për mashtrim me pasoja të rënda. 23-vjeçari hiqej si nëndrejtor i ALUIZNI-t dhe në këmbim të shumave monetare i premtonte qytetarëve se do legalizonte shtëpitë apo edhe t’i kthente pronat. Laçi është kallëzuar nga katër shtetas, të cilëve u ka marrë në total rreth 6.5 milionë lekë të reja.
Sipas hetimeve tre qytetarë i ka mashtruar me dokumentacionin e legalizimeve të banesave. Ndërsa në një rast, ai i ka marrë një qytetareje 5.8 milionë lekë, pasi i kishte premtuar se do t’i kthente pronën.
Paratë sipas hetimit ai kishte kërkuar, pasi do të kryente pagesat në Hipotekë, Arkivën Qendrore si dhe Agjencinë e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave. Por në fakt qytetarja ishte mashtruar duke mos iu kthyer as prona dhe as paratë. Artan Laçi është hetuar me masën e sigurisë arrest me burg dhe është prangosur një muaj më parë nga Policia e Tiranës.

Artikulli paraprakGrabitet me dhunë një qytetar në mes të Vlorës
Artikulli tjetërKorrupsioni, lihet në burg ish-drejtori i ALUIZNI-t Shkodër