Morata te Milan?

E ardhmja e Alvaro Moratës mund të jetë në Serie A, më konkretisht te Milani, që është gati të shpenzojë një shumë marramendëse parash për shërbimet e 24-vjeçarit. Sulmuesi aktual i Realit të Madridit është në qendër të projektit të Li Yonghong, që ka nisur kontaktet e para për arritjen e një marrëveshjeje. Vetë futbollisti e sheh me sy të mirë këtë lëvizje, por pret konfirmimin e drejtuesve të Realit, që mund të përfitojnë 60 milionë euro nga kartoni i lojtarit. Kjo është shifra, e cila mund t’i bindë Los Blancos për të hequr dorë nga lojtari, i cili kërkohet gjithashtu nga Chelsea dhe Manchester United në Premier League.
Milani në fakt ka disa përparësi në garën për Moratën. Nëse do të bëhet pjesë e “Djallit”, do të jetë titullar i padiskutueshëm, pasi Bacca pritet të largohet nga Milani, ndërsa Lapadula konsiderohet zëvendësues. Në sezonin para botërorit Morata do të kërkojë të luajë sa më shumë, për të qenë ai pjesë e formacionit bazë edhe në Rusi 2018.
Nuk mund të anashkalohet fakti se Morata nuk do ta kishte të vështirë përshtatjen në Serinë A, pasi ka luajtur për dy sezone me Juventusin. Gjithashtu mund të ndikojë edhe jeta personale, pasi bashkëshortja e ardhshme e tij, me të cilën do të lidhë kurorë në mes të qershorit në Venezia është italiane.
Vinçenco Montela ka joshur Alvaro Moratën duke thënë se vlerat e një lojtari të tillë dihen dhe çdo analizë që mund të bëjnë trajnerët i rrisin vlerën në merkato. Ai e konsideron shumë të shtrenjtë. Në një intervistë për “TikiTaka”-n, ai analizon sezonin dhe projektin që ka nisur Milani me drejtuesit e rinj.
“Shpresojmë që të ‘fluturojmë’ më lart. Ishte një vit i vështirë dhe skuadra u ringrit pas vështirësive, megjithatë do ta quaj një sezon pozitiv. Arritëm objektivin për t’u rikthyer në Europa Ligë dhe i morëm një trofe Juventusit. Duhet të falënderoj këta futbollistë që u treguan të gatshëm dhe meritojnë respekt për atë që kanë bërë”, tha Montela.
Montela foli edhe për objektivat e vitit të ardhshëm. “Jam i kënaqur për mënyrën se si po lëvizin drejtuesit. Për të fituar vende në tabelën e renditjes nuk është aspak e lehtë, sepse tri skuadrat e para janë të forta dhe për më tepër Interi ka lojtarë të fortë. Duhet të jemi të qetë, por t’i vëmë vetes detyrën për t’u rikthyer në Champions. Tifozët dhe drejtuesit e rinj e kanë këtë ambicie”, tha ai.

Artikulli paraprakAtalanta, 10 milionë euro për Gjimshitin
Artikulli tjetërReali, 45 milionë për talentin brazilian