Xavi Hernadez është pa dyshim një nga lojtarët më të mirë të Barcelonës dhe si i tillë mbetet një nga mbështetësit më të zjarrtë të stilit tiki-taka të blaugranave. Pavarësisht lidhjes së ngushtë me klubit katalan, 37-vjeçari nuk e ka problem të lavdërojë lojtarë të Realit të Madridit, veçanërisht gjermanin Toni Kross, për të cilin mendon se do të jetë protagonist kryesor në finalen e Championsit.
“Kross është motori i lojës së Realit. Nga mënyra sesi luan, më kujton veten. Është pasuesi im në atë pozicion. Si mbështetës i Barcelonës nuk më lejohet të jem me Realin. Sepse nëse Reali shkon mirë, do të ishte keq për Barçën dhe anasjelltas. Kështu ka qenë gjithmonë. I uroj fat Juventusit, e meriton trofeun për punën që ka bërë vitet e fundit”, u shpreh Xavi.
Xavi vlerësoi shumë edhe Khediran, për punën ndoshta të padukshme që bën te Juventusi në të gjithë sektorët e fushës. Ndërsa për sezonin e vështirë të Guardiolës në stolin e Manchester City-t, komentoi. “Për fat të keq puna e Guardiolës matet gjithmonë me trofetë që fiton. Mirëpo suksesi nuk mund të planifikohet. Jam i bindur se do të dalë edhe më i fortë nga kjo situatë”, tha ai.