Gatishmëri për paqe mes Izraelit dhe Palestinës

Presidenti amerikan, Donald Trump deklaroi dje se udhëheqësit izraelitë dhe palestinezë janë “të gatshëm të arrijnë paqen”.
Zoti Trump i bëri komentet gjatë një fjalimi në muzeun e Izraelit ku ndodhej së bashku me kryeministrin izraelit, Benjamin Netanjahu.
Presidenti zhvilloi bisedime me zotin Netanyahu dy ditë më parë dhe u takua sërish dje, pas një vizite të shkurtër në Bregun Perëndimor për një takim prej një ore me Presidentin e Autoritetit Palestinez, Mahmud Abbas.
“Ne e dimë që paqja është e mundur nëse hedhim mënjanë dhembjet dhe mosmarrëveshjet e së kaluarës dhe angazhohemi të zgjidhim përfundimisht krizën që është zvarritur për gati gjysmë shekulli”, tha zoti Trump në fjalimin e tij në muze, duke shtuar se izraelitët dhe palestinezët “mund të arrijnë një marrëveshje”.
Por në deklaratën e presidentit amerikan nuk përmendej asnjë nga ato që janë çështje kryesore për palestinezët si “pushtimi” apo “zgjidhja me dy shtete”.
Aaron David Miller, i cili ka shërbyer si negociator për SHBA-në për Lindjen e Mesme gjatë administratave republikane dhe demokrake, shkroi në Twitter se “asnjë president amerikan nuk ka shprehur kaq shumë besim në një marrëveshje paqeje që i jep fund konfliktit kur kushtet për sukses janë shumë të vakta”.
Më herët gjatë ditës së djeshme, duke folur përkrah presidentit Trump, udhëheqësi palestinez Abbas tha se problemi thelbësor për palestinezët është pushtimi nga Izraeli, ndërtimi i vendbanimeve, si dhe dështimi i Izraelit për të njohur Palestinën.
“Problemi nuk është judaizmi, por pushtimi”, tha ai.
Mahmoud Abbas ritheksoi gatishmërinë për të pranuar një zgjidhje me dy shtete në kufijtë e vitit 1967.
Presidenti amerikan arriti në Izrael pas një vizite dyditëshe në Arabinë Saudite, ku zoti Trump tha se ishte siguruar nga Mbreti Salman se Riadi dëshiron paqe midis Izraelit dhe Palestinës.

Statusi i Jeruzalemit, çështja më e vështirë
Gjatë një paraqitjeje publike të hënën, kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, tërhoqi vërejtjen se “nuk do të jetë e thjeshtë”, por u shpreh me optimizëm të kujdesshëm se “për herë të parë në shumë vjet dhe për herë të parë në jetën time, shoh shpresë të vërtetë për ndryshime”.
Statusi i Jerusalemit, që të dyja palët si izraelitët edhe palestinezët e cilësojnë si kryeqytetin e tyre, është çështja më e vështirë për t’u zgjidhur.
Autoriteti palestinez kontrollon Bregun Perëndimor dhe është i vendosur në Ramallah. Grupi militant Hamas, kontrollon Rripin e Gazës.
Hamas thotë se presidenti Trump, i cili e quan atë si organizatë terroriste, dëshmon se presidenti amerikan nuk mund të jetë ndërmjetësues i drejtë i paqes.

Ndalesa e radhës, Roma
Ndalesa e radhës e presidentit Trump është Roma, ku ai arriti të martën në mbrëmje. Të mërkurën presidenti takoi Papa Françeskun, duke përmbyllur vizitat në tri vendet e shenjta të besimeve abrahamike.
Para se të largohet nga Italia ai do të takojë edhe presidentin dhe kryeministrin italian para se të fluturojë të enjten për në Bruksel.
Në Belgjikë, udhëheqësi amerikan do të flasë në shtabin e ri të NATO-s, në mes shqetësimeve të anëtarëve të aleancës për përkushtimin e presidentit Trump ndaj organizatës.
Të premten dhe të shtunën, presidenti Trump do të udhëtojë në Siçili për të marrë pjesë në takimin e G7-ës.

Artikulli paraprakPërse protestojnë të rinjtë në Rusi?
Artikulli tjetërProjektbuxheti i Shtëpisë së Bardhë përfshin 3.6 trilionë dollarë shkurtime