Armand MAHO
Edi Rama duket se i ka bërë “hesap pa hanxhinë” kur e ka vendosur veten të gjashtin në Vlorë, dhe tani rrezikon seriozisht të mbetet jashtë sallës së Parlamentit, duke të kujtuar fatin e diktatorit Ramiz Alia në vitin 1991 përballë Franko Kroqit tek Njësia 8 në Tiranë. Në kushtet e krijuara, kur 15 parti të koalicionit do të garojnë më vete, Edi Ramës nga koalicioni i humbasin jo pak, por 28 500 vota, dhe diferenca e mbetur pra Partia Socialiste e vetme në zgjedhje me aleatë pa asnjë peshë nuk mjaftojnë për të plotësuar 6 mandate në këtë qytet. Lënia e LSI dhe PDIU jashtë listave, si dhe kalimi i PBDNJ në krahun e djathtë dhe kandidimi i Dules nën siglën e PD e rrit ndjeshëm koeficentin e humbjes së PS-së në këtë qark dhe vija e kuqe mund ta lerë jashtë Ramën, i cili duket se nuk i ka bërë mirë hesapet elektorale. Kjo ishte ndoshta dhe arsyeja se, përse dje nxorri tre krerë partish të vogla me shuma të papërfillshme votash, për t’u bërë thirrje partive të tjera të regjistruara tashmë që të tërhiqen nga kandidimi. Në Vlorë LSI ka kandiduar në krye të listave një prej figurave më të rëndësishme të saj, ish-rektorin Shezai Rrokaj, dhe figurë e lartë e partisë. Në zgjedhjet e vitit 2013, kjo parti mori rreth 10500 vota në rang qarku, duke marrë një deputet. Një deputet brenda koalicionit, mori dhe Vangjel Dule, i cili mbledh votat në zonën e bregut dhe Sarandë, por një peshë jo të vogël ka dhe PDIU për shkak të përqendrimit të komunitetit çam atje. Në këtë përllogaritje nuk janë futur partitë e Ben Blushit apo Zgjidhja e Koços, dy parti, të cilat dhe këto synojnë elektorat të majtë.
Pakënaqësia
Por rreziku i Edi Ramës për të mbetur jashtë zgjedhjeve nuk qëndron vetëm në kalkulimin e votave, të cilën se ka menduar gjatë, por edhe në faktin se Vlora në këto zgjedhje ka rrjedhje të ndjeshme votash të majta. Stërzgjatja e lungomares me thuajse katër vjet, ka rrënuar turizmin në këtë qytet, por dhe premtimet e pambajtura me punësimin, apo rritjen e mirëqenies ka bërë që shumë prej votuesve ta shohin me skepticizëm Ramën në këto zgjedhje në rastin më të mirë për të apo ta votojnë kundër në rastin më të keq. Mbetja jashtë liste e Ramës jo domosdoshmërisht do të thotë se ai mund të mbetet jashtë Parlamentit, por sërish quajtja nga ana e tij e Vlorës si bastion do të thotë se nuk e njeh mirë mentalitetin e kësaj zone, pasi për llogari elektorale nuk bëhet fjalë. Të dyja forcat politike, nuk kanë pasur ndonjë diferencë të dukshme votash në këtë qytet, madje në 27 vite pluralizëm nuk kanë qenë të pakta rastet kur ka fituar PD në zona, të cilat që as mund të mendoheshin. Rasti më i mirë për këtë është viti 2005 dhe Rama bën mirë t’i rikthehet dhe të shohë rezultatet atje.
Aleatët e mbetur
Mbledhja që bëri dje Rama me partitë e vogla nuk duket se do të sjellë ndonjë rezultat, qoftë në rang vendi, por sidomos në zonën e tij elektorale. Për shembull, Petro Koçi dhe Idajet Beqiri, të dy bashkë nuk kanë marrë as 180 vota në Vlorë. Petro Koçi me PS 91 ka marrë vetëm 139 vota, ndërsa Idajet Beqiri vetëm 45. Në këtë qark nga llogaritjet me partitë që sdo hyjnë në zgjedhje, Rama nuk arrin të rikuperojë as 10 për qind të votave që humbet. Natyrisht, llogaritja bëhet me vitin më të mirë elektoral të tij, pasi situata ka ndryshuar. Rama ka katër vjet në pushtet dhe bilanci i tij është nën zero. Por ai ka dhe një problem tjetër me Kodin Zgjedhor. Partitë që janë regjistruar nuk mund të çregjistrohen më dhe të kalojnë votat për PS-në. E para, se Rama nuk ka se çfarë u premton më, për t’i futur në lista kështu që luftën për mbijetesë ato e kanë për jetë a vdekje. Dalja nga zgjedhjet dhe thirrja për t’i bashkuar votat me Edi Ramën ata e dinë fare mirë se çfarë do të thotë. Kalimi i votave në hambarin e PS-së, do të thotë që ata të zhduken nga skena politike. Rama nga ana e tij nuk mbajti fjalën as në vitin 2013, kur rezultatet tregonin qartë se sa vota kishte marrë njëra apo tjetra parti në zgjedhje. Jo vetëm PDIU dhe LSI, por edhe PSD e Gjinushit apo PDS e Milos e dinë fare mirë se thirrja për të votuar PS-në, do të thoshte që ato të shkriheshin elektoralisht, dhe mos ekzistojnë më si parti. Vetë Milo e ka thënë se pa koalicion Rama nuk i merr dot më shumë se 60 mandate, dhe sërish këto llogari bëhen me votat e 2013-ës, pasi humbja mund të jetë dhe më e thellë.
Historia përsëritet, si humbi diktatori, përballë inxhinierit Kroqi në vitin 1991
Ramiz Alia në vitin 1991, do e konsideronte zonën 218 si bastion të ish PPSH-së. Për kreun e regjimit diktatorial ishte hera e parë që dilte në një përballje, dhe as e kishte idenë e nivelit të urrejtjes që ishte në popull. Zona ku ai kandidonte përbëhej kryesisht nga tiranas autoktonë, ose dhe dibranë të hershëm të ardhur që në fillim të shekullin e kaluar aty. Përballë kishte një inxhinier minierash, Franko Kroqin. Beteja dukej e pabarabartë në sytë e opinionit publik. Dhe ata qindra mijëra qytetarë besonin se Ramiz Alia, nuk do humbiste në këto zgjedhje. Por ndodhi ajo që s’mendohej. Një grup intelektualësh që drejtuan fushatën në atë zonë bënë mrekullinë. Ramiz Alia, në zgjedhjet e 31 marsit të vitit 1991 nuk figuronte në listën e fituesve, megjithëse vazhdonte të ishte Sekretar i Parë i Komitetit Qendror të PPSH-së. Megjithëse në kushtet e presionit të Sigurimit të Shtetit, banorët e asaj lagjeje do të bënin mrekullinë duke dalë mbi gjithçka. Atë kohë PPSH do të fitonte në pjesën dërrmuese të vendit, por sinjali me nxjerrjen jashtë Parlamentit të Ramiz Alisë ishte dhënë. Banorët e një lagjeje në Tiranë kishin bërë historinë. Ramiz Alia do të vazhdonte të ishte në Parlament këtë herë si president, por ai atje do të shkonte kokëulur. Natyrisht dhe Rama, mund të bëjë ndonjë nga kandidatët fitues të tërhiqet që të futet vetë, por sërish do hyjë kokëulur në atë sallë, bashkë me humbjen që do e shoqërojë, njësoj si Ramiz Alia në vitin 1991.
Sondazhet e PS aspak optimiste për Ramën dhe qeverisjen e tij
Sondazhet e zhvilluara në verën e vitit të kaluar në Partinë Socialiste tregonin një panoramë të zymtë për zgjedhjet e qershorit të këtij viti. Mediat në atë kohë shkruanin se, Rama kish zbritur ndjeshëm, me rezultatin që mori në vitin 2013, që ishte diku tek 40-41% dhe këtu bëhet fjalë vetëm për votat e Partisë Socialiste. Por sondazhet e zhvilluara nga vetë PS, tregonin një zbritje deri në 200 mijë vota krahasuar me 3 vjet më parë. Nga ajo kohë deri më tani duket se s’ka ndryshuar asgjë. Kjo bëri që në atë kohë Rama të niste një sulm frontal ndaj aleatëve të tij, duke i parë si të keqen e qeverisjes, por në fakt faji ishte kryesisht i tij. Burime nga PS shprehen se militantët janë nën presion të madh dhe po u kërkohet përditë të rikuperojnë dëmin e shkaktuar nga vetë qeverisja e tyre. Në atë kohë, Rama nxorri dhe ushtrinë e analistëve që paguhen në borderotë e tij dhe të Veliajt të Bashkisë, për të justifikuar gjithë keqqeverisjen e Ramës në atë vit. Gjithsesi, 25 qershori do dhe 30 ditë, dhe në kaq pak kohë sa ka mbetur s’mund të rikuperohen dëmet që ka shkaktuar në katër vitet e tij të qeverisjes. Shifrat deri më tani janë kokëforta dhe në asnjë rast sado kalkulime të bëjë, ai s’mund të realizojë atë që thotë në fushatë se do të marrë mandatet për të qeverisur i vetëm. Humbja duket e pashmangshme.