Fushata falas në televizione për të goditur korrupsionin zgjedhor

Përkundër shqetësimit të ngritur nga shoqata e mediave elektronike, deputeti demokrat Eduard Halimi thotë se ligji që detyron radiot dhe televizionet private të transmetojnë falas aktivitetet e partive politike gjatë zgjedhjeve nuk është antikushtetues. Halimi tha se mediat nuk do të fitojnë, por as nuk do të humbasin pasi ky minutazh do t’u kompensohet nga shteti kur të shlyejnë detyrimet tatimore. Halimi bëri të ditur se koha televizive e aktiviteteve politike që do të transmetojnë është një shërbim publik. “Është pjesë e paketës së financimit të partive, korrupsioni zgjedhor është i pamundur nëse nuk janë paratë. Paratë që vijnë nga partitë politike bëjnë një transparencë më të madhe të përdorimit të tyre dhe financimit të tyre. Nuk do të kemi më flamujt e tmerrshëm dhe të ngarkuar në çdo rrugë, çdo shtëpi dhe lagje të partive politike. Ziheshim sa flamuj do të vendosnim në një shtyllë. Në një shtyllë një flamur i PD, një i PS, LSI, PDIU. Nuk do të ketë më banderola, billbordera. Ka penalitete nëse shkelet. Të vetmet që do të kenë dekor do të jenë zyrat elektorale, shtabet elektorale. Do të ketë shkurtim të shpenzimeve. Në këtë kuadër është dhe pjesa e reklamave. Nuk ka antikushtetutshmëri. Është kohë televizive, barazohet për të gjitha partitë. Mediat nuk do të fitojnë, por nuk do të humbasin. Mediave nuk do t’u preket prona private si thonë. Koha televizive e aktiviteteve politike që do të transmetojnë është një shërbim publik. Është vetëm 30 ditë, çdo ditë 3 minuta. Jepni pafund me orë të tëra se çfarë bën kryetari i bashkisë sot. Pashë në një televizion dje kryetarin e Bashkisë tre orë televizive që bridhte nga një cep në një cep. Kostoja e 3 minuta do të paguhet nga shteti, do të zbritet kur të paguajnë tatimet. Frekuencat janë publike. Pjesa e fitimit sigurisht që nuk do të jetë. Ligji është bërë para një viti. Ka mbetur për shkak se komisioni i reformës nuk është mbledhur”.

Artikulli paraprakKeqqeverisja prodhoi eksodin e shqiptarëve
Artikulli tjetërKQZ nis procesin e administrimit të zgjedhjeve parlamentare