Një e ardhme larg Barcelonës për Andres Iniestën, tashmë është më e mundshme se përpara disa vitesh. “Dëshira ime është të respektoj kontratën me Barcelonën dhe kjo është ajo që dua të bëj”. Fjalë këto të kapitenit të skuadrës blaugrana. Por më pas Iniesta shton gjithashtu, se ekzistojnë edhe mundësi të tjera dhe ai do të vlerësojë gjithçka. 33-vjeçari spanjoll ka një kontratë që e lidh me Barcelonën deri në verën e vitit 2018-të, por në ditët e fundit e ardhmja e tij është lidhur shumë me Juventusin, me Dani Alves-in që kërkon të bindë Iniestën ta vazhdojë karrierën te kampionët e Italisë. Nuk dihet ende se cili do të jetë vendimi, që do të marrë Andres Iniesta, por deklaratat e fundit të mesfushorit të bëjnë të dyshosh.
“Nuk po them se do të rinovoj apo nuk do ta bëj diçka të tillë, por mënyrën sesi kanë shkuar gjërat në këtë sezon kam mësuar të vlerësoj ashtu siç duhet, dhe ashtu siç e kam thënë disa javë më parë në momentin që do të largohem nga Barça nuk do të shkojnë gjërat deri në një konfrontim mes meje dhe drejtuesve të klubit”, theksoi më pas Iniesta. Mesfushori 33-vjeçar shkëputi edhe një mendim për trajnerin e ri të Barcelonës që sipas të gjitha gjasave do të jetë Ernesto Valverde. “E njeh mirë ambientin dhe me shumë mundësi do të jetë ai i përzgjedhuri, nëse vjen do t’i uroj fatet më të mëdha të kësaj bote, në mënyrë që t’i transmetojë skuadrës atë që dëshiron”.