Milani dhe Atalanta zhvilluan dje një takim në rang drejtuesish në “Casa Milan”. Në bisedime u fol për mbylljen e transferimit të Frenk Kesie te kuqezinjtë. Në arkat e bergamaskëve do të shkojnë plot 28 milionë euro, ndërsa për lojtarin flitet për një pagë prej 2.8 milionë eurosh në sezon.
Më ofertën e tyre, kuqezinjtë parakalojnë ndjeshëm Romën, duke siguruar kështu shërbimet e lojtarit nga Bregu i Fildishtë. Vizitat mjekësore do të kryhen gjatë javës në vazhdim, ku mund t’i bashkohet edhe Rikardo Rodriguez. Kesie, i cili përgjatë këtij sezoni ka qenë protagonist absolut tek Atalanta, duket se mesfushori e kishte bërë me kohë zgjedhjen e tij për t’u transferuar te kuqezinjtë. Roma dhe Milan kishin ofruar pothuajse të njëjtën shumë.
Një detaj i vogël që bëri diferencën dhe të mundur arritjen e akordit ishte paga vjetore që do të përfitonte Kesie. Kuqezinjtë ofruan 500 mijë euro më shumë, por më shumë sesa oferta e bërë zgjedhja mund konsiderohet më tepër si një çështje preferenciale sesa monetare. Milani i ri po merr jetë, tashmë pritet që në ditët në vazhdim emri i Kesie të pasohet edhe më të tjerë elementë cilësorë.
Në aksin Bergamo-Milano mund të lëvizin edhe mbrojtësi Andrea Konti, që ka zhvilluar një kampionat fantastik me ngjyrat zikaltër. Drejtori sportiv i Atalantës, Xhovan Sartori, kërkoi gjithashtu informacione edhe për Xhanfilipo Feliçolin, futbollistin e Askolit, ku është huazuar pikërisht nga Milani. Pas sistemimit të mbrojtjes dhe sigurimit të mesfushorit, kuqezinjtë do të kërkojnë edhe një metodist për të, regjinë e skuadrës.
Sytë janë nga Bilja i Lacios dhe si alternativë e lacialit po shqyrtohet Milan Badelj i Fiorentinës. Pasi të arkivohet edhe çështja e mesfushës, Mirabeli e Fasone do të mësyjnë drejt Madridit për kartonin e Moratës, i cili ka pranuar ofertën mbi pagën e bërë nga “Djalli”.
Për sulmin emrat e tjerë në axhendën e Jonghong Li janë Keita Balde dhe Nikola Kaliniç, por transferimet e tyre do të shqyrtohen pas shitjes përfundimtare të Karlos Bakës. Të gjitha sforcot ekonomike po bëhen për t’i garantuar Montelës interpretuesit e denjë në kuadër të ndryshimit të skemës, pasi Milani 2017-18 pritet të zbresë në fushë me 4-2-3-1.
Milani ka shfaqur interes edhe për mesfushorin e Romës, Radja Nainggolan. Mesfushori i Romës, Radja Nainggolan, është paraqitur në faqen e parë të promovimit të fanellave të reja të klubit për sezonin 2017-‘18. Sipas mediave ndërkombëtare, kjo lë të kuptohet se belgu nuk do të largohet nga Roma përkundër interesimit të madh të disa klubeve evropiane. Sipas Goal.com, kjo ua shuan shpresat Chelseat dhe Milanit për një transferim të mundshëm të Nainggolanit.