Rey Manaj nuk do të qëndrojë tek Interi pas përfundimit të huazimit te Pisa në Serinë B. Sulmuesi 20-vjeçar shqiptar, i cili ka kontratë me zikaltrit deri në vitin 2020 do të huazohet sërish, për të patur mundësi aktivizimi. Ofertat për të nuk kanë munguar kurrë, që nga ekipet e Serisë A, por edhe në kategoritë më të ulëta në futbollin italian, megjithatë drejtuesit e Interit nuk dëshirojnë të nxitohen për të marrë vendimin e duhur. Në fillim të sezonit 2016-2017 Manaj u huazua te Pescara, ku u aktivizua në 13 ndeshje në total, në një rast në Kupën e Italisë, duke shënuar dy gola. Ndërsa te Pisa në Serinë B regjistroi 17 takime e dy finalizime, por kontributi i tij nuk mjaftoi për të shmangur rënien në Lela Pro. Janë 30 ndeshje në total mes Serisë A dhe B, rreth 1684 minuta në fushë, statistika të pranueshme për një 20-vjeçar, në sezonin e tij të parë i huazuar.
Manaj do të kthehet formalisht tek Interi, ku nuk do të qëndrojë gjatë, pasi brenda qershorit pritet të mësojë destinacionin e tij të ri. Nuk përjashtohet mundësia që ta vijojë karrierën jashtë Italisë po në formë huazimi.