City realizon goditjen e dytë

Manchester City gjen pasuesin e Claudio Bravo. Në fillim, Citizens kishin vendosur në qendër të vëmendjes portierin e Milanit, Gianluiggi Donnarumma, por tashmë kuqezinjtë mund të rrinë të qetë, pasi skuadra angleze ka arritur të transferojë gardianin e portës së Benficës, Ederson. 23-vjeçari ka mbërritur në Angli dhe pritet të zhvillojë vizitat mjeksore e më pas do të bëhet dhe zyrtarizimi nga ku do të merren vesh detaje nga kontrata e tij.
Në arkat e klubit portugez do të shkojnë 50 milionë euro, një shifër rekord kjo për brazilianin, që e përfshin atë në listën e portierëve më të paguar. Pasi arritën të transferonin Bernardo Silva nga Monaco, kjo është goditja e dytë  në merkato për Man.City edhe pse dritarja e transferimeve ende nuk është hapur. Pep Guardiola kërkon ta mbyllë sa më shpejtë çështjen e përforcimit të skuadrës në mënyrë që të nisë fazën përgatitore me të gjithë organikën në dispozicion.
Transferimi i Ederson konsiderohej mëse i domosdoshëm, pasi Claudio Bravo nuk i ka përmbushur pritshmëritë e teknikut katalanas, kjo për shkak të gabimeve të shumta nga ana e kilianit dhe me Joe Hart që pritet të vazhdojë aventurën e tij tek Torino. Edhe pse rreziku i Man.City për të rrëmbyer Donnarummën ka kaluar, Milani vazhdon të qëndrojë në gjendje ankthi, pasi ekipi tjetër i Manchesterit, United pritet t’i largohet gjatë verës gardiani i tyre, David De Gea dhe emri që ofron më tepër garanci për “Djajtë e Kuq” është ai i portierit të kuqezinjve.

Artikulli paraprakMilani e mbyll me humbje
Artikulli tjetërMontella: Donnarumma do rinovojë