Bufon: Jemi favoritë

Xhanluixhi Bufon ëndërron që të ngrejë të vetmin trofe që i mungon karrierës së tij, të shtunën e ardhshme, në Kardif. Portieri i Juventusit është një legjendë, por Champions-i do të plotësonte palmaresin e tij, përveçse do ta shenjtëronte si një prej kampionëve dhe fituesve më të mëdhenj që ka parë historia e futbollit.
“Më ka shpëtuar dy herë ky trofe nga duart, shpresoj që këtë herë të jetë i imi”. Në një intervistë për “Daily Star”, numri 1 i bardhezinjve tregon disa nga emocionet e kësaj pragsfide dhe karrierës së tij. “Gjëja që më transmeton më shumë sodisfaksion dhe emocion, duke bërë rolin e portierit është ajo ndjesia e të transmetuarit qetësi te skuadra. Ata e dinë se në fund, edhe pas tyre ka gjithmonë një tjetër që do të mbrojë edhe goditjen e fundit dhe kjo është diçka që u jep forcë të gjithë shokëve të mi. Ne jemi një skuadër shumë e qetë sivjet dhe me një mentalitet të fortë. E dimë tashmë, se cilat do të jenë vështirësitë me të cilat do të përballemi. Instinkti im në fushë? Shpeshherë bëj atë që ndiej për momentin, sepse jo të gjitha ndeshjet të japin të njëjtën adrenalinë dhe të përfshijnë”, u shpreh Bufon.
Në lidhje me aventurën e tij në këtë sport, 39-vjeçari është i lumtur. “Jam me fat që kam pasur një karrierë kaq të gjatë. Kam pasur për detyrë që të marr shumë vendime dhe të gjitha i kam marrë, duke u bazuar te gjendja ime emocionale dhe mënyra e të jetuarit. Prandaj, rikthimi në një finale të Champions-it së bashku me skuadrën dhe tifozët, është diçka vërtet fantastike dhe këtë herë dua të fitoj. Nuk më mjafton më të marr pjesë”.
Fakti se Reali i Madridit ka humbur vetëm dy finale të Champions-it, ndërsa Juventusi gjashtë, kjo nuk e frikëson Bufonin. “Një avantazh fakti i të mos qenit favorit? Nuk e di… Ndoshta të jep më shumë sodisfaksion fitorja, duke u etiketuar si i tillë, por edhe të qenit favorit të bën të ndihesh mirë.
Me pak fjalë, nuk kam preferenca në lidhje me këtë aspekt. Çfarë fjalësh do t’u them shokëve të ekipit përpara se të zbresim në fushë? Të shohim, tashmë jam një ekspert i të tilla monologëve (qesh)… Fakt është që të gjithë sivjet kemi vetëbesimin e duhur, njohim forcën dhe limitet tona, prandaj do t’i përdorim të gjitha këto për të fituar”, përfundoi Bufon.

Artikulli paraprakCosta: Iki nga Chelsi vetëm për Atleticon
Artikulli tjetërHiguain: Erdhi momenti ta fitojmë