Juventus dhe Real Madrid do të takohen në finalen e këtij sezoni në Ligën e Kampionëve, e cila do të zhvillohet më 3 qershor në Cardiff. E përditshmja italiane, “Tuttosport” ka bërë një anketë me 50 gazetarë, të cilët janë nga 33 shtete të ndryshme dhe tri kontinente.
Shumica e këtyre gazetarëve besojnë se Juventus do të mposhtë në finale Real Madridin dhe do të jetë kampion i ri i Evropës. Në anën tjetër, vetëm 17 prej tyre besojnë se Reali do të shkruajë histori, duke u bërë skuadra e parë që e fiton dy herë radhazi këtë garë, që kur mori këtë emërtim në sezonin 1992-93.
Në këtë listë të gazetarëve ishte edhe gazetari shqiptar Fatmir Meneri, i cili parasheh fitore 2:1 të Juventusit, me golat e Dybala-së dhe Bonuccit, ndërsa për Realin do të shënojë Ronaldo. Fitoren më të thellë e parasheh gazetari i Argjentinës, Pablo Lejder, i cili beson se Juventus do të fitoi 4:2.
Ndërkohë, ish-portieri i Los Blancos, Iker Casillas ka dhënë opinionin e tij në lidhje me finalen Real Madrid-Juventus. Në njërin krah është ish-skuadra e tij, në krahun tjetër një rival në fushë, por një mik i mirë jashtë saj, Gianluiggi Buffon. E ka të vështirë të japë një parashkim, pasi sipas 36-vjeçarit shanset janë 50-50, por pavarësisht kësaj Casillas sheh Juventusin si favorit.
“Do të jetë një ndeshje e ekuilibruar. Juventusi gjithmonë ka qenë një skuadër e fortë në mbrojtje, tani është edhe në sulm. Higuain, Dybala dhe Mandzukiç janë një treshe shumë e frikshme, që mund të ndëshkojnë në çdo çast. E njëjta gjë vlen edhe për Realin që ka një futbollist të jashtëzakonshëm si Cristiano Ronaldo. Personalisht shoh Juventusin si një skuadër më kompakte”, tha ai. Përsa i përket garës për fitimin e “Topit të Artë” Casillas është i mendimit se Buffon e meriton plotësisht.