Të hënën, rreth orës 22, në Leposaviç, persona të paidentifikuar kanë shtënë me armë zjarri në drejtim të objektit të Qendrës për Punë Sociale, në të cilin objekt gjendet zyra e kryetarit të Komunës së Leposaviçit, si dhe zyrat e Partisë së Serbëve të Kosovës, e cila është një nga 5 subjektet politike serbe që do të garojnë në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të Kosovës, më 11 qershor.
Lajmin për sulmin në Leposaviç e ka konfirmuar për Radion Europa e Lirë, Nenad Bojiç, shef i operativës i policisë rajonale të Mitrovicës së Veriut, i cili ka theksuar se sulmi me armë zjarri mbi Qendrës për Punë Sociale në Leposaviç, megjithatë ka kaluar pa viktima.
“Në këtë incident nuk ka pasur persona të lënduar, por në objekt janë shkaktuar dëme materiale. Hetuesit kanë dalë në vendin e ngjarjes për të hetuar vendin e ngjarjes dhe ky hetim po vazhdon edhe sot, për shkak se mbrëmë, për shkak të kushteve dhe errësirës, nuk është arritur të përfundojë hetimi. Ekipet hetuese janë ende në terren dhe hetimet për këtë rast janë në zhvillim e sipër”, tha Bojiç.
Aleksandar Jabllanoviç, lider i Partisë së Serbëve të Kosovës, zyrat e së cilës janë në objektin që ishte shënjestër e sulmit të së hënës me armë zjarri, thotë për Radion Europa e Lirë se të shtënat kanë qenë nga disa armë dhe në kohën e sulmit në zyra kanë qenë vetëm 3 persona.
“Vetëm 20 minuta para sulmit, që ndodhi në orën 22, subjektin politik e kanë lëshuar aktivistët partiakë që po përgatiteshin për zgjedhjet parlamentare. Vetë fakti që dikush guxon që në qendër të Leposaviçit të shtijë me armë në hapësirën ku ka njerëz, flet që një çmenduri serioze i ka kapur njerëzit e caktuar këtu, në veri të Kosovës”, thotë Jabllanoviç.
Ai i bëri thirrje sistemit të drejtësisë dhe institucioneve të rendit që t’i gjejnë autorët e sulmit, t’i vënë para përgjegjësisë dhe t’i ndëshkojnë sipas ligjit.
Jabllanoviç thekson se ditëve të fundit, kandidatët e subjektit politik që ai drejton, por edhe subjekteve të tjera politike serbe, të cilat nuk i janë bashkuar Listës Serbe në garën zgjedhore, e cila ka mbështetjen e Beogradit zyrtar, kanë qenë cak i presioneve dhe kërcënimeve të ndryshme, gjë që ka rezultuar edhe me tërheqjen e disa kandidatëve për deputetë nga listat e këtyre subjekteve.