Tanimë është edhe zyrtare. Arsene Venger do të vazhdojë të drejtojë Arsenalin deri në vitin 2019. Pas publikimit të lajmit një ditë më parë nga “BBC”, klubi londinez zyrtarizoi marrëveshjen e re që sigurisht nuk i ka bërë të lumtur ata tifozë që kërkojnë prej muajsh largimin e francezit. Suksesi i fundit në finalen e FA Cup ndaj Chelsea-t, duket se i ka bindur drejtuesit e klubit, për t’i dhënë një tjetër shans 67-vjeçarit, i cili nuk e fiton Premier Leaguen që nga viti 2004. Prej 21 vjetësh trajner i Arsenalit, Venger parakalohet vetëm nga Sir Aleks Ferguson, i cili mbretëroi për 27 sezone në krye të “Djajve të Kuq”. Mesatarja e tij është 2 pikë për ndeshje, që kur mori drejtimin e skuadrës në vitin 1996. Në këtë lloj klasifikimi, ku janë marrë në konsideratë teknikët me mbi 50 ndeshje në Premier League, para tij janë vetëm Sir Aleks Ferguson, Carlo Ancelotti, Jose Mourinho dhe Roberto Mançini. Përveç këtij sezoni, nën udhëheqjen e francezit, Arsenali ishte kualifikuar gjithmonë në Champions League, por pa mundur në asnjë rast që ta fitojë trofeun më të rëndësishëm për klube. Më 2006 shkoi deri në finale, ku u mposht nga Barcelona, ndërsa nga sezoni 2010-2011 është eliminuar gjithmonë në fazën e 1/8 ave.
Arsene Venger nuk është një trajner që nuk shpenzon para. Me të në stol Arsenali ka harxhuar gjithsej për blerjen e 162 futbollistëve 700 milionë paund, një shumër kjo shumë e vogël krahasuar me paratë që kanë investuar skuadrat e të njëjtit nivel. Vetëm në dy raste, Topçinjtë kanë shpenzuar më shumë se 60 milionë paund në merkato. Me çështjen e trajnerit të zgjidhur, tek Arsenali duhet të vendosin për disa lojtarë që janë në përfundim të kontratës, si Santi Cazorla apo Yaya Sanogo, ndërsa në fund të sezonit të ardhshëm Topçinjtë mund të humbasin Sanchez, Ozil, Ramsey, Oxlade-Chamberlain, Gibbs, Mertesaker, Jenkinson, Wilshere, Campbell dhe portieri Szczesny, aktualisht i dhënë në formë huazimi te Roma. Me Venger në stol, askush nuk duhet të shqetësohet.